Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka arritur t’i shqyrtojë raportet financiare të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe të Bankës Qendrore të Kosovës, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të tyre, raporton Ekonomia Online.
Në mungesë të guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, për shkak gjendjes së tij shëndetësore me grip, komisioni vendosi që raportin vjetor të BQK-së ta shtyjë për mbledhjen e radhës, po kështu vendosi edhe për raportin financiar vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, fillimisht pati vërejtje ndaj kryetarit të këtij komisioni, Armend Muja, duke thënë se deputeti në fjalë nuk është hera e parë që vonohet në mbledhjet e komisionit.
“Për komisionin për miniera dhe minerare nuk kemi kryesuesin. Për mendimin tim kemi krijuar standart që kryesuesi të jetë në raportim. Shtyhet edhe raporti për BQK”, tha Lushtaku.
Njëjtë si Lushtaku, mendon edhe deputeti i VV-së, Visar Korenica, teksa e quajti papërgjegjësi mospjesëmarrjen e tyre në këtë Komision.
“Është e papërgjegjshme mos pjesëmarrja e tyre në komisionet tona. Propozoj të shtyhet kjo pikë në mbledhjen e radhës”, tha Korenica.