Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara shtyu për sot votimin për akuzat kundër presidentit Donald Tump.
Vendimi u mor nga kreu i Komitetit, Jerry Nadler, të enjten vonë, pas dy ditësh debat.
Të martën, Komiteti prezantoi dy akuza kundër presidentit: për abuzim të pushtetit dhe për pengim të punës së Kongresit.
Trump po përballet me procedurat e shkarkimit nga detyra, të cilat i kanë nisur rivalët e tij – demokratët – në muajin shtator.
Presidenti dyshohet se i ka kërkuar ndihmë homologut ukrainas, për të hetuar sfiduesin e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden.
Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.
Republikanët kanë bërë përpjekje ta bllokojnë procesin, duke e cilësuar si sulm të paligjshëm mbi presidentin.
Komiteti Gjyqësor, i cili kontrollohet nga demokratët, pritet t’i miratojë akuzat.
Votimi i tyre i plotë në Dhomën e Përfaqësuesve do të pasojë javën e ardhshme.
Megjithatë, Senati, i cili kontrollohet nga republikanët e presidentit, nuk pritet ta shkarkojë atë nga detyra.
Trump përsëriti të enjten në Twitter se nuk ka bërë “asnjë krim”.
Nadler tha se votimi të premten nuk do të zhvillohet para orës 10:00, sipas kohës lokale.