Shtypi gjerman: “Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë”

Prishtinë | 19 Gus 2025 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Në vend që ta mbështesë lëvizjen demokratike në Serbi, Komisioni Evropian i ka kthyer shpinën protestuesve, tregon shtypi gjerman. Por gjithashtu vlerëson se sistemi i Vuçiqit “shumë shpejt mund të lëkundet nëse qytetarët vazhdojnë protestat”.

Qeveria serbe po i shtyp me ashpërsi ekstreme protestat në Serbi. Presidenti Vuçiq kështu po tregon fytyrën e tij të vërtetë, mendon Zilke Hane, gazetare e portalit informativ Tagesschau.

“Ditëve të fundit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po tregon fytyrën e tij të vërtetë. Javën e kaluar ai i lëshoi huliganët e maskuar kundër një lëvizjeje protestuese deri atëherë paqësore. Dhe ndërsa besnikët e partisë sulmonin demonstruesit me shufra hekuri dhe fishekzjarrë, policia vetëm qëndronte dhe nuk bënte asgjë. Rrahje nën mbrojtjen e policisë.”

“Që atëherë, dhuna në rrugët serbe çdo natë po eskalon rishtas. Kësaj i ka kontribuar edhe një pjesë e lëvizjes protestuese. Zyrat e partisë në pushtet, të cilat deri më tani goditeshin me vezë, tashmë po demolohen dhe digjen. Policia ndërhyn – por nuk arreston vetëm ata njerëz. Kushdo që në Serbi del natën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë – qoftë në mënyrë paqësore ose jo – duhet të llogarisë me arrestim.”

“Kjo shoqëri civile kërkon drejtësi – për viktimat e aksidentit në Novi Sad, ku një strehimore e rinovuar keq në stacionin hekurudhor mori 16 jetë. Shoqëria civile do edhe drejtësi për viktimat e dhunës policore. Ajo kërkon zgjedhje të lira dhe që presidenti të ketë vetëm aq pushtet sa i përcakton Kushtetuta.”

“Mund të thuhet: shoqëria civile serbe kërkon atë që në një vend evropian demokratik do të duhej të ishte e mirëkuptueshme. Në fund të fundit, Serbia është kandidate për anëtarësim në BE. Por, në vend që ta mbështesë lëvizjen demokratike, Komisioni Evropian i ka kthyer shpinën protestuesve. Asnjë fjalë mbështetjeje nga Brukseli.”

“Evropa do të përfitojë nga fuqia ekonomike e Serbisë, pa marrë parasysh se sa duar të korruptuara përfshihen në këtë. Për këtë arsye BE vitin e kaluar me Serbinë nënshkroi edhe një pakt për shfrytëzimin e litiumit.”

“Me një politikë të tillë të zgjerimit, Evropa humb kredibilitetin dhe shkel mbi vlerat e veta. Aleksandar Vuçiq po tregon fytyrën e tij të vërtetë – Evropa duhet të shikojë me kujdes në atë drejtim”, shkruan Zilke Hane për Tagesschau, portalin informativ të shërbimit publik ARD.

Vuçiq “me siguri ka bekimin e Putinit për çdo represion”

Ndërkaq, Tageszeitung i Berlinit publikoi një koment të gazetarit Erich Ratfelder me titull “Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë”. Ai e nisi tekstin e tij me konstatimin se në takimin e Putinit dhe Trump-it në Alaskë tërë botës iu “demonstrua fuqia e autokratëve të papërmbajtur dhe të papërgjegjshëm”. Tani, sipas këtij autori, “shpresa vjen pikërisht nga Serbia, vendi që i pari që nga fillimi i viteve ’90 ndërtoi një autokraci të korruptuar” – dhe kjo për të është “dinakëri e historisë”.

“Shpresa vjen pikërisht nga ai vend i vogël ballkanik, i cili ende nuk është përballur me historinë e tij të përgjakshme, por tani, siç duket, seriozisht po fillon të ballafaqohet me fantazmat e tij të këqija.”

Ratfelder shkruan se ngjarjet në Serbi tregojnë se sistemi autokratik i Vuçiqit “shumë shpejt mund të lëkundet nëse qytetarët vazhdojnë protestat dhe nuk lejojnë të frikësohen nga skuadrat e dhunshme të regjimit”.

Vuçiqi “me siguri ka bekimin e Putinit për çdo represion. Që rusët praktikisht e kontrollojnë ushtrinë serbe është vetëm një fusnotë. Ashtu si edhe fakti që djemtë e Trump-it janë të gatshëm të investojnë në Serbi me bekimin e Vuçiqit. Por për politikën evropiane dhe gjermane po krijohet një grumbull copëzash: Berlini, në çdo rast, gjithmonë e ka mbështetur Vuçiqin”, shkruhet ndër të tjera në komentin e Tageszeitung-ut të Berlinit.

Të ngjashme