Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka vendosur që të lë në fuqi dënimin për të përjashtuar Skënderbeun për 10 vite nga kompeticionet Europiane, dënim ky i dhënë kohë më parë nga UEFA.
Megjithëse besimi në kampin korçar ishte i madh se nga Lozana mund të vinte një lajm i mirë, kjo gjë nuk ka ndodhur.
Ëndrra e shumë tifozëve të cilët kishin organizuar edhe protesta për të hedhur poshtë dënimin, tashmë është “vrarë” dhe mbetet të shihet vetëm reagimi i klubit pas këtij vendimi.
Në vitet e fundit, Skënderbeu ka qenë dominues në Shqipëri, por vendimi i dhënë nga UEFA pak kohë më parë, bëri që të kishte jo pak lëkundje dhe u larguan shumë futbollistë.
Pas këtij konfirmimi të dënimit nga KAS-i, pritet që largimet të jenë edhe më të shumta.
Ndryshe KAS kishte vendosur në favor të federatave shqiptare (FSHF dhe FFK) në dy raste.
Ndeshja e ndërprerë në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë, fillimisht nga UEFA kishte shkuar në favor të serbëve, por që më pas kjo gjykatë e rrëzoi, duke vendosur që pikët t’i takojnë Shqipërisë.
Si dhe në rastin kur Serbia ishte ankuar rreth vendimeve të UEFA-s dhe FIFA-s, për pranimin e FFK-së si antare e këtyre organizmave më të mëdhenj të futbollit europian dhe botëror.