Aktori Ken Kercheval ka vdekur në moshën 83-vjeçare, ndërsa më i famshëm ishte për rolin e tij si Cliff Barnes në hit-serialin amerikan “Dallas”, i cili u transmetua për 14 sezone, nga viti 1978 deri në vitin 1991. Shërbimi i funeraleve në Clinton, qyteti i lindjes së aktorit, e ka konfirmuar vdekjen e aktorit për Hollywood Reporter.
Kercheval u kthye madje edhe në rimejkun e serisë dikur të popullarizuar, të xhiruar në vitin 2012, ndërsa rivali i tij i përjetshëm nga ditët e arta të serisë televizive ishte Larry Hagman, i cili e luajti J.R.Ewingun. Pikërisht ata të dy kanë luajtur në më së shumti episode të serisë, më shumë se 300 sosh në të 14 sezonet.
Me karrierën filmike ai filloi në vitet ’60, ndërsa rolet e njohura konsiderohen edhe rolet e tij në “Super Password”, “I Still Dream of Jeanie” dhe serinë televizive “Walker, Texas Ranger”, e cila në vitet ‘90 e bëri të famshëm Chuck Norrisin (79), shkruan KOHA Ditore.
Kercheval lindi në vitin 1935 në Indiana, ndërsa pas studimeve në New York shumë shpejt filloi të punojë me Dustin Hoffmanin (81) në Broadway. Ai u martua katër herë dhe u shkurorëzua po kaq herë. Pas vetes ka lënë shtatë fëmijë, ndërsa më herët e kishte mbijetuar betejën me kancerin e mushkërive.