Një nga operatorët më të mëdhenj të pushimeve dhe linjës ajrore në Britani të Madhe, Thomas Cook, ka pushuar së funksionuari me ndikim të menjëhershëm, kështu ka njoftuar Autoriteti i Aviacionit Civil (CAA).
Sipas njoftimit, të gjitha fluturimet janë anuluar.
“Të gjitha rezervimet e Thomas Cook, përfshirë fluturimet dhe pushimet tani janë anuluar”, tha CAA, përcjell Telegrafi.
Shefi ekzekutiv i Thomas Cook, Peter Fankhauser, tha se falimentimi i operatorit turistik ishte një “çështje e pikëllimit të thellë”.
Ai gjithashtu u kërkoi falje miliona klientëve të kompanisë dhe mijëra punonjësve dhe besohet se rreth 150 mijë njerëz pritet të preken nga fluturimet e anuluara.
“Qeveria po punon me Autoritetin e Aviacionit Civil të Britanisë së Madhe për të ndihmuar pasagjerët të kthehen në Britani të Madhe”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.
Katër linjat ajrore të grupit do të pushojnë me fluturimet e tyre dhe 12 mijë punonjësit e saj në 16 vende si dhe 9 mijë në Britani të Madhe pritet të humbasin punën e tyre për shkak të falimentimit.
Rënia e operatorit ikonë të Britanisë së Madhe me përvojë 178-vjeçare turistike erdhi për shkak të vështirësive financiare dhe dështimit për të siguruar një marrëveshje prej rreth 1.37 miliardë dollarë.