Mijëra banorë të Venezuelës po nxitojnë të hyjnë në territorin e Perusë pas paralajmërimit se ky vend do t’i ashpërsojë ligjet për imigrantët. Duke nisur nga mesnata e së shtunës, banorëve të Venezuelës do t’iu kërkohet pasaporta dhe viza për të hyrë në Peru.
Ndryshimi i rregullave për të hyrë në këtë vend solli grumbuj të njerëzve në pikat kufitare. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth katër milionë banorë të Venezuelës kanë ikur nga vendi i tyre vetëm nga viti 2015.
Ekonomia e shkatërruar pothuajse plotësisht ka bërë që në Venezuelë të ketë shkallë të lartë të papunësisë, mungesë të ushqimit dhe të ilaçeve. Organizatat e ndryshme thonë se mijëra njerëz kanë nevojë për ndihma humanitare.
Para ndryshimit të rregullave për kalim të kufirit, qytetarët e Venezuelës mund të hynin në Peru vetëm përmes letërnjoftimit. Sipas zyrtarëve të qytezës Tumbes, rreth gjashtë mijë njerëz kanë hyrë në këtë vend vetëm të enjten e kaluar, shifër që është tri herë më e madhe se numri mesatar i kalimeve.
Presidenti i Perus, Martin Vizcarra, e mbrojti vendimin për rregullat e reja, duke thënë: “Vendi ynë i ka hapur dyert për më shumë se 800 mijë banorë të Venezuelës. Mendoj se është plotësisht e logjikshme dhe e justifikueshme që të kërkojmë viza nga ta për të pasur kontroll më të mirë”, shkruan “BBC”.