Fluks i madh i udhëtarëve vërehet gjatë muajve të verës. Kjo për shkak së një pjesë e madhe e diasporës zgjedhin Kosovën për t’i kaluar pushimet e verës. Në Aeroportin e Prishtinës, gjatë muajit korrik në Kosovë kanë hyrë 126 mijë persona ose gati dyfish më shumë sesa muajin paraprak. E numër i madh vërehet edhe në pikat kufitare.
Megjithatë, pjesëmarrja aktive në ekonominë kosovare mbetet e vogël në krahasim me potencialin ekonomik të mërgatës kosovare. Numri i investimeve nga diaspora konsiderohet i vogël krahasuar me remitencat dhe shpenzimet e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas Buletinit Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2016, kosovarët kanë pranuar 691 milionë euro mbështetje financiare nga të afërmit e tyre. Sipas analizave të BQK-së, kjo shifër pritet që të rritet edhe për 2.8% gjatë vitit 2017.
Gjermania dhe Zvicra mbeten vendet me më shumti remitenca të dërguara, me 37 për qind përkatësisht 22 për qind të totalit të pranuar në Kosovë.