Sipas një ankete, më shumë se gjysma e amerikanëve besojnë se numrat arabë, të cilët përdoren në pjesën më të madhe të botës si simbole standarde për shifra, nuk duhet të mësohen në shkollë.
Rreth 56 për qind e njerëzve thanë se këta numra nuk duhet të jenë pjesë e kurrikulës për nxënësit amerikanë. Këto rezultate u nxorën nga një hulumtim që u krye me qëllim të identifikimit të paragjykimeve.
Shifrat 0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 njihen si numra arabë. Ky sistem së pari është zhvilluar nga matematikanët indianë e më pas u përhap në Evropë dhe në tërë planetin përmes botës arabe.
Në anketën e bërë nga kompania “Civil Science” morën pjesë 3624 persona. Pyetja që iu bë pjesëmarrësve ishte “A duhet të jenë numrat arabë pjesë e kurrikulës amerikane”, ndërsa aty nuk shpjegohet kuptimi i togfjalëshit “numra arabë”.
Mbi 2000 njerëz u përgjigjën me “jo”. Rreth 29 për qind e personave të anketuar thanë se këta numra duhet të mësohen në shkollat amerikane, ndërsa 15 për qind e tyre thanë se nuk kanë ndonjë mendim për këtë çështje.
Shtatëdhjetë e dy për qind e përkrahësve të Partisë Republikane ishin kundër mësimit të numrave arabë në shkolla, ndërsa vetëm 40 për qind e mbështetësve të Partisë Demokratike u përgjigjen në të njëjtën mënyrë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.