Dhëmbët e prishur po del t’i kenë shumica e fëmijëve të Komunës së Obiliqit. Kontrollet që u janë bërë atyre nga mjekët stomatologë në shkollat e kësaj komune, ka rezultuar se gati të gjithë nxënësit e tri moshave të ndryshme (ata që janë përfshirë në këto kontrolle) kanë telashe me dhëmbë.
Këto kontrolle që janë zhvilluar gjatë vitit 2018 kanë përfshirë nxënësit e klasave të para, të katërta dhe të teta. Numri total ka qenë 922. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq, Haki Jashari, thotë se prej tyre nuk kanë qenë më shumë se 20 nxënës me dhëmbë të shëndoshë, shkruan sot Koha Ditore.
“Në vitin e kaluar dy ekipe të QKMF-së kanë shkuar nëpër klasat e para, të katërta dhe të teta të shkollave të Komunës së Obiliqit për të parë sa është i shpeshtë kariesi te fëmijët, për t’i informuar për shëndetin oral, etj. Këto kontrolle kanë përfshirë 922 nxënës në 51 klasa të shkollave të Obiliqit. Shumica e këtyre fëmijëve kanë pasur probleme me dhëmbë. Prej krejt këtij numri, 922 nxënësve, nuk kanë qenë më shumë se 20 nxënës që i kanë pasur dhëmbët pa karies”, ka theksuar drejtori i QKMF-së, Haki Jashari.