Sot Shqipëria pret një lajm pozitiv për hapjen e negociatave gjatë publikimit të progres – raportit, edhe pse verdikti final pritet të jepet në qershor.
Por duket se përveç Francës, Danimarkës dhe Holandës, edhe nga Gjermania vijon të ketë një skepticizëm për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Në një prononcim për “Neue Zurcher Zeitung” kryetari i Komitetit të Bundestagut të Evropës, Gunther Krichbaum tha se vendimi për Shqipërinë do të shtyhet për në tetor.
“Vendimi do të jepet në tetor” tha ai.
Ndërkohë që ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD), nga ana tjetër, kërkon një fillim të shpejtë të bisedimeve të pranimit në BE.
“Tani është në dorën e BE-së për të hapur negociatat”, shkruan Roth në një artikull për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Progres i prekshëm” është bërë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.
Në Gjermani, megjithatë, Bundestagu duhet të japë dritën jeshile dhe kjo është e mundur vetëm nëse grupi parlamentar CDU / CSU nuk e ndalon.
Hapja e negociatave për anëtarësim shihet në mënyrë kritike, veçanërisht në Holandë, Danimarkë dhe Francë.