Shyhrete Tahiri-Sylejmani, është e mbijetuara e dytë e dhunës seksuale, pas Vasfije Krasniqi- Goodman, e cila kërkon publikisht të dënohen dhunuesit e saj, raporton Ekonomia Online.
Për këtë arsye, ajo me mbështetjen e QKRMT-së, dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Ajo falënderoi të gjithë për përkrahje dhe tha se këtë po e bën të iu jap mbështetje të gjithë atyre që përjetuan të njëjtin tmerr.
“Sot jam këtu me nda me juve dhimbjen qe kam në shpirt edhe përfaqësoj të gjitha nënat, vëllezërit e bijat që atë dhimbje e kanë të njëjte dhimbje si unë” rrëfeu ajo.
“Nuk është e lehtë aspak me nda atë dhimbje të shpirtit, jam këtu me nda drejtësinë, me lyp drejtësinë time”, u shpreh ajo.
“Jam këtu të ndaj me ju dhimbjen që kam në shpirt dhe dua t’u jap kurajë atyre që vuajnë si unë”.
“Nuk është e lehtë aspak të ndash atë dhimbje të shpirtit që thyen zemrat e s’bëhen më kurrë bashkë”.
“Jam këtu të kërkoj drejtësinë time”, tha ajo, duke i falënderuar të gjithë për përkrahje.
Shyhretja, është nga Gjilani, por jeton në Kanada. Ajo është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT-KRCT), Feride Rushiti, ndërkaq tha asnjë person nuk është ndëshkuar për dhunimet gjatë luftës.
“Duam t’i mobilizojmë edhe gratë e burrat që të kërkojnë drejtësi për këtë krim lufte”.
“Ato kanë përjetuar dhunë, keqtrajtim gjatë periudhës së luftës. Ju të gjithë e dini në nëntorin e vitit të kaluar me daljen e Vasfijes me historinë e saj të dhimbshme, e cila tani është bërë publike edhe ndërkombëtarisht, po ndikuar që edhe të tjera të rrëfehen” , tha ajo.
“Unë afër e kam një zonjë shumë të respektuar që ka përjetuar këtë krim, tmerr e keqtrajtim gjatë periudhës së luftës”.
Vitin e kaluar, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, doli publikisht për të rrëfyer krimin e kryer ndaj saj, ndërsa rasti i saj bëri bujë ndërkombëtare.
Nga viti 2018, ka filluar aplikimi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.