Kosova është trazuar nga lajmi se një punëtor i Thesarit të Kosovës me iniciale L.G. dyshohet se, përmes katër transaksioneve të ndryshme, ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove të buxhetit në llogari të një kompanie private, LDA Group Shpk.
Lidhur më këtë rast, Policia e Kosvës ka arrestuar punëtorin e Thesarit, derisa dy të tjerë, pronarë të kompanisë private, gjenden në arrati.
Për L.G. tashmë është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe vendimi për masën e paraburgimit do të merret gjatë ditës së enjte.
Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.
“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passwordet (fjalëkalimet)”, tha Bajrami.
Cilat janë procedurat e transferimit të mjeteve të Thesarit?
Struktura e transferit të mjeteve financiare të buxhetit të Kosovës është e shpërndarë në disa zyrtarë, me hallka të shumta të kontrollit, kurse ka zyrtarë që kanë kompetenca më specifike.
Përgjegjësitë dhe menaxhimi i mjeteve financiare, në faqen zyrtare të Ministrisë se Financave, në kuadër të se cilës funksionon Thesari i Kosovës, janë të publikuara në Procedurat për Menaxhimin e qasjes së përdorueseve në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës, i quajtur me shkurtesën SIMFK.
Në këtë sistem, përveç punonjësve të Thesarit, të drejtë të qasjes kanë edhe punonjës të organizatave buxhetore, që caktohet nga organizatat përkatëse, por vetëm pasi të kaluar procesin e trajnimit dhe certifikimin për modulin përkatës.
Nën organizata buxhetore hyjnë ministritë dhe agjencitë e ndryshme të shtetit. Përdoruesit e sistemit vazhdimisht monitorohen.
Përdoruesi i këtij sistemi në momentin që pranon kërkesën e aprovuar nga Thesari për qasje në SIMFK, e bën regjistrimin, i caktohet ID e përdoruesit, fjalëkalimi, klasa funksionale dhe grupi i sigurisë.
Numri identifikues dhe fjalëkalimi i jepet vetëm shfrytëzuesit. Klasat funksionale, e që janë 33 të tilla, përcaktojnë qasjen në funksione të caktuara për përdoruesit, sipas përgjegjësive që ka.
Nga këto klasa, qasje në të gjitha funksionet dhe modulet e sistemit mund të ketë vetëm udhëheqësi i Divizionit për Menaxhim dhe kontroll të brendshëm dhe analistë funksionalë, si dhe ndonjë zyrtar alternativ me autorizim të zëvendësdrejtorit të operimeve.
Në klasë tjetër, kanë të drejtë të kenë qasje zyrtarët e organizatave buxhetore, zyrtarë të regjistrimit të pasurive, zyrtarët zotues për kërkesa për blerje, e të tjera.
Por, të gjithë këta persona zyrtarë kanë kode dhe fjalëkalime të ndryshme për të realizuar transferet. Kurse në Divizionin e pagesave në Thesar, të drejtë kanë vetëm punëtorët e Thesarit.
Çdo regjistrim i transfereve në duhet të verifikohet
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, personi që ka përgjegjësi për të realizuar transfere, vazhdimisht duhet të jetë i monitoruar, i kontrolluar nga zyrtarët e tjerë.
Në bazë të procedurave, çdo regjistrim i transfereve në fund të ditës duhet të verifikohet, kryesisht shumat e mëdha të mjeteve. Nevojitet edhe të kontaktohen organizatat buxhetore dhe të pyeten se a kanë realizuar vlerën e caktuar të pagesës.
Monitorimin e transferave të mjeteve e realizon një tjetër departament, që kompleton dosjen e pagesave të të gjitha organizatave buxhetore.
Monitorimi i përdorueseve të SIMFK-së
Në rastin kur Njësia e Monitorimit konstaton se përdoruesi bën gabime sistematike gjatë regjistrimit të transaksioneve në SIMFK, Thesari do të ndërmarrë masa duke filluar me vërejtje, pezullim i përkohshëm i qasjes, deri te marrja e certifikatës për SIMFK të lëshuar nga Thesari.
Në këto raste, për rimarrjen e qasjes, do të iniciohet procedura nga fillimi sikur për përdoruesit e rinj, nëse organizata buxhetore ende konsideron se ai zyrtar financiar mund ta kryejë atë rol.