Si dështoi “Kosova në Evropian” dhe ç’duhet bërë tash

Prishtinë | 29 Dhj 2023 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Kur Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) e hodhi shortin në vjeshtën e vitit 2022 për Kampionatin Evropian të verës së ardhshme në Gjermani, pothuajse të gjithë në Kosovë e bënë punë të kryer kualifikimin e “Dardanëve” për herë të parë në një turne të madh futbolli, përfshirë vetë zyrtarët e futbollit vendës.

“Kosova në Evropian” është motoja dhe “ne e shohim veten të kualifikuar nga ky grup”, tha asokohe shefi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, pasi Kosova mësoi se do të përballej me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën në garë për një vend në Euro 2024.

Për komunitetin e futbollit në vend, Kosova në letër do t’i mposhte të gjitha këto ekipe kombëtare, përjashtuar Zvicrën – megjithatë, në fushë, jo vetëm që dëshpëroi me paraqitje dhe rezultate, por brenda ekipit të saj u krijua një rrëmujë, duke i dëshpëruar mijëra tifozë plot shpresë.

“Kemi pritur më shumë për këto kualifikime, ishte një rast i mirë. Ky ka qenë një grup i kalueshëm”, tha për Radion Evropa e Lirë, Anel Rashkaj, i cili ishte kapiteni i Kosovës në ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare të njohur nga organizata botërore e futbollit, FIFA, një miqësore kundër Haitit, më 5 mars 2014, në Mitrovicë të Jugut.

Kapiteni Anel Rashkaj duke përshëndetur presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi, para ndeshjes së parë ndërkombëtare të Kosovës në futboll, kundër Haitit në Mitrovicë të Jugut, 5 mars 2014.

Kosova barazoi në tri ndeshjet hapëse në Grupin I kualifikues kundër Izraelit (1:1), Andorrës (1:1) dhe Rumanisë (0:0), para se të pësonte humbje tronditëse (2:1) kundër njërës prej asaj që shihej si skuadra më e dobët në grup, Bjellorusia.

Kjo ishte një goditje e rëndë për gjasat e Kosovës për kualifikim, pasi dështoi t’i fitonte shumicën e pikëve ndaj ekipeve që shiheshin si më të lehtat në grup, para përballjes me favoriten kryesore, Zvicrën.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Taulant Dajaku, ish-futbollist dhe tani analist futbolli, tha për REL-in se keqmenaxhimi i kushtoi Kosovës me dështim në kualifikimet për Euro 2024 nga një grup, i cili, beson ai, ishte më i lehti i mundshëm për një ekip të renditur jashtë top 100-shes së FIFA-s.

“Mendoj se është dhimbje e madhe për shkak të shansit të madh, sepse edhe po të duam ta krijojmë ne një grup kaq të lehtë, nuk mund ta bëjmë në të ardhmen”, tha Dajaku.

Për Rashkajn, i cili e nisi rrugëtimin me Kosovën më 2008 – shumë kohë para se ajo të pranohej në FIFA dhe UEFA më 2016 – para se të pensionohej nga kombëtarja më 2021, ka shumë shkaktarë që çuan në dështimin e verdhekaltërve për ta shfrytëzuar një mundësi kaq të mirë për t’u kualifikuar në turneun e verës së ardhshme.

Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne të madh futbolli, si Kupa e Botës apo Evropiani, dhe ky shihej si shansi më i mirë deri tani në katër fushata kualifikuese për këto dy gara.

“Kur dështon në diçka, nuk mund ta cekim vetëm një gjë, aty ka shumë gjëra, trajneri, forma e lojtarëve, të gjitha këto ndikojnë në rezultate”, theksoi Rashkaj.

Shumë lojtarë që janë ftuar në këtë fushatë kualifikuese nga Kosova nuk kanë qenë titullarë të rregullt në klubet e tyre evropiane, përjashtuar Vedat Muriqin e Mallorcas, Amir Rrahmanin e Napolit, Florent Muslijën, Ibrahim Dresheviqin e të tjerë.

Për këtë, federata dhe trajnerët u përballën me trysni dhe kritika, pse nuk thërrisnin më shumë lojtarë të ligës vendëse dhe lojtarë që ishin më të angazhuar në klubet e tyre.

Për shkak të pakënaqësive të tilla, Mirlind Daku dhe Arnbor Muja vendosën ta përfaqësonin Shqipërinë, edhe pse kishin qenë pjesë e Kosovës.

Ata e akuzuan federatën se nuk u dha mundësitë e merituara, ndërsa kjo e fundit tha se ata i vunë kushte Kombëtares.

Keqmenaxhimi dhe trajneri ndër arsyet kryesore për dështimin e Kosovës

Alain Giresse u soll në Kosovë nga FFK-ja në shkurt 2022 me bujë të madhe, si një ish-mesfushor i shquar i Kombëtares së Francës, që karrierën e trajnerit e kishte bërë kryesisht në futbollin afrikan, me kombëtare si Senegali, Gaboni, Mali dhe Tunizia. Ai kishte qenë i papunë për katër vjet, nga viti 2018.

As përvoja me Kosovën s’i zgjati shumë, sepse disfata 2:1 në Minsk, në qershorin e kaluar, i kushtoi me shkarkim atij, pas vetëm katër ndeshjeve të para kualifikuese.

“Trajneri ka qenë njëra prej pikave kryesore pse nuk kemi arritur sukses. Puna e një trajneri ndikon shumë në atmosferën e ekipit dhe në paraqitjen në fushë, natyrisht se ka ndikuar në këto kualifikime”, tha Rashkaj.

Giresse ishte kritikuar paraprakisht dhe kishte edhe zëra se ai nuk ishte i duhuri për t’ia besuar fushatën kualifikuese, pas rezultateve të dobëta në Ligën e Kombeve, ku Kosova përfundoi mbrapa Greqisë në Ligën C, një garë ku ajo përballet me ekipe të nivelit të vet.

Mesatarja e pikëve e trajnerit francez në 14 ndeshje sa e drejtoi ekipin verdhekaltër ishte 1.2 për ndeshje.

“Është e turpshme të përfundosh mbrapa Bjellorusisë, me gjithë kualitetin që e kemi ne. Gabim ka qenë edhe angazhimi i Giresse, pa analizuar se çfarë trajneri po marrim, çka na duhet dhe cilat janë pikat e tij të forta”, theksoi Dajaku.

Kosova i kishte ende edhe gjashtë ndeshje të mbetura në grup dhe rrjedhimisht ishte ende në garë për t’u kualifikuar, por FFK-ja habiti shumë njerëz duke e zëvendësuar Giressen me Primozh Glihën, një emër të njohur tashmë në Kosovë, i cili e kishte udhëhequr Kombëtaren më 2021, në dy ndeshje si trajner i përkohshëm.

Përvoja e tij më e madhe ishte si trajner i Kombëtares së Sllovenisë për 21-vjeçarët, të cilën e udhëhoqi në 42 ndeshje, duke i fituar 1.38 pikë për ndeshje – pra nën mesatare.

“Ishte gabim shumë i madh angazhimi i Glihës, sepse kishte shumë mundësi të kualifikohemi përkundër shumë gabimeve te Giresses”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bylbyl Sokoli, profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit në Prishtinë, analist dhe trajner futbolli.

Gliha debutoi me një barazim kundër favorites, Zvicrës, në Prishtinë, në shtator, në një ndeshje ku kombëtarja helvetike u kritikua nga mediet zvicerane se nuk shfaqi ndonjë interesim për të luajtur, e në veçanti dyshja me rrënjë kosovare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Granit Xhaka, kapiten, dhe Xherdan Shaqiri, duke festuar me bashkëlojtarët e tyre në Kombëtaren e Zvicrës gjatë barazimit me Kosovën në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024, në Prishtinë, shtator 2023.

Për Dajakun, emërimi i Glihës solli më shumë “dëm sesa përparim”.

Në ndeshjen e dytë në krye të ekipit, Gliha kishte një kacafytje me Edon Zhegrovën në fushë gjatë humbjes 2:0 kundër Rumanisë, rivalit të drejtpërdrejtë për kreun e tabelës. Ai u duk se e tërhoqi me forcë dhe pastaj e qortoi anësorin e talentuar të klubit francez, Lille.

Megjithëse pësoi disfatën e dytë dhe ishte pa fitore në gjashtë ndeshjet e para, Kosova vazhdoi të ishte në garë për kualifikim, posaçërisht pasi e mundi Andorrën (3:0) në tetor, si dhe Izraelin (1:0) në një ndeshje të luajtur midis masave të mëdha të sigurisë në Prishtinë, për shkak të ndjeshmërisë së saj në një kohë kur Izraeli po luftonte me grupin radikal palestinez, Hamas, në nëntor.

Balta në stadiumin e dëmtuar në Prishtinë, i cili mban emrin e legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, la nën hije lojën me Izraelin, dhe gjithçka tjetër rreth saj.

Federata u kritikua edhe për këtë, edhe pse ajo e mohoi përgjegjësinë për mirëmbajtjen e fushës së stadiumit.

“Mosardhja e kapitenit tregon më së miri për gjendjen e kombëtares”

Si asnjëherë më parë në tetë vjetët e ekipit kombëtar, në këto kualifikime pati reagime nga lojtarët dhe mungesë të tyre në ndeshjet e fundit vendimtare.

Kapiteni dhe njëri ndër lojtarët kryesorë të ekipit, Amir Rrahmani, vendosi të mos vinte në grumbullim, duke e arsyetuar se Kosova nuk kishte më synim, pavarësisht se ajo ende ishte në garë për kualifikim.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, duke luftuar për një top me Zeki Amdounin e Zvicrës, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 mes Kosovës dhe Zvicrës në Prishtinë, 9 shtator 2023.

“Vendimi ka qenë i përbashkët, mes lojtarit, trajnerit të Kosovës, Napolit dhe meje, që Amiri të mos grumbullohet kësaj radhe, meqenëse Kosova nuk ka ndonjë objektiv konkret”, tha në nëntor Ardian Aliaj, menaxheri i mbrojtësit të Napolit.

Për Sokolin, mungesa e kapitenit në ndeshje të këtij karakteri “tregoi shumë për mjedisin e krijuar brenda Kombëtares”.

Mungesat e kapitenit dhe shumë lojtarëve të tjerë bënë që pesë lojtarë të ftoheshin nga klubet e ligës vendëse. Ky ishte numri më i madh i lojtarëve të Superligës së Kosovës, të thirrur brenda një grumbullimi. Shumica e tyre luajtën, po ashtu.

Zhegrova, ndër lojtarët më në formë në atë kohë, u refuzua për ndeshjet me Zvicrën dhe Bjellorusinë, pasi kishte vendosur të mungonte në ndeshjen me Izraelin, për shkak të angazhimit me klubin e tij francez. Ndeshja e Kosovës me Izraelin ishte shtyrë për 12 nëntor, për shkak të luftës, dhe përkoi me ndeshjet e ligave evropiane atë fundjavë.

Zhegrova tha se ekipi nuk e kishte lejuar të udhëtonte për ndeshjen e parë, por kishte shprehur gatishmëri për dy ndeshjet pasuese. Zyrtarët e FFK-së thanë se vendosën që lojtarët që do të mungonin me Izraelin, nuk do të grumbulloheshin as në dy ndeshjet e tjera.

“Mungesa e lojtarëve dhe reagimet e tyre për problemet që kanë treguar që ekzistojnë brenda – ky është një faktor që tregon se mënyra e menaxhimit nuk është e duhura”, tha Dajaku.

Kosova ia doli t’ia marrë një pikë Zvicrës edhe në Bazel, falë një goli në kohën shtesë nga Muhamet Hyseni i Llapit, por ai barazim i dha fund përfundimisht shpresave të Kosovës për kualifikim. Për ta arritur kualifikimin, Kosova duhej ta mposhte Zvicrën, dhe në xhiron e fundit ta mundte Bjellorusinë dhe të shpresonte se Rumania do ta mposhte Zvicrën.

Kosova pësoi humbje në Prishtinë nga Bjellorusia në ndeshjen e fundit, gjë që e përkufizoi më së miri një fushatë tejet dëshpëruese për “Dardanët”, i cili përfundoi i parafundit në Grupin I, me 11 pikë nga 10 ndeshje.

Çfarë ndryshimesh nevojiten për të ardhmen?

Federata e Futbollit e Kosovës, e cila e udhëheq Kombëtaren dhe gjithë futbollin në vend, pritet ta emërojë një trajner të ri në fillim të vitit 2024. Në vitin e ri, Kosova duhet të përgatitet për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, që nis në shtator, si dhe për kualifikimet për Kupën e Botës 2026, që nisin në mars 2025.

Në fillim të këtij muaji, u publikua një fotografi e kreut të federatës me ish-trajnerin e Spanjës, Roberto Moreno – siç u raportua, nga një takim ku u bisedua për mundësinë që ai ta merrte drejtimin e Kosovës. Por, u tha se palët nuk arritën pajtim, për shkak të pagës.

Megjithatë, vetëm emërimi i një trajneri tjetër nuk do të mjaftojë për t’i ndryshuar gjërat për mirë në Kombëtare, sipas Rashkajt, i cili u pensionua nga futbolli në janar të këtij viti, në moshën 34-vjeçare.

“Atë që duhet ta ndryshojë federata jonë është të kemi një qartësi të planit të filozofisë sonë, sepse mendoj se këto vitet e fundit nuk kemi pasur qartësi në lojën tonë”, tha Rashkaj.

Ai beson se Kosova ka ndryshuar shumë lojtarë dhe trajnerë, të cilat kanë ndikuar në dështimet e saj.

“Çelësi, pikë së pari, është të gjendet një trajner me një filozofi të qartë të lojës, se çfarë mund të bëjë me këtë grup të lojtarëve që ka, dhe t’i përmbahemi asaj, dhe t’i marrin lojtarët e duhur”, tha ai.

Federata është kritikuar në të kaluarën për përzgjedhjen e lojtarëve për ta përfaqësuar Kombëtaren, dhe për mungesë të programeve afatgjate.

Sokoli tha se Kosovës i duhet “organizim më i mirë në të gjitha nivelet” dhe një plan për të ardhmen.

Federata zakonisht ka emëruar trajnerë që kanë ardhur pa ekipet e tyre përcjellëse, dhe është dashur të marrin ndihmës nga futbolli vendës, po ashtu.

Shefi i federatës, Ademi, tha në fund të dhjetorit se trajner “do të zgjidhet ai i cili e ka projektin më të mirë, pasi garanci në futboll nuk ka, por mund të na e mbushë mendjen me një projekt që mund të na kualifikojë”.

Dajaku e cilëson si problem të vogël çështjen trajneri, sepse “çështja kryesore është mënyra e menaxhimit të kombëtares, strukturat dhe njerëzit me vizion të qartë që duhet të vijnë”.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë çfarëdolloj trajneri që zgjedhim, fatkeqësisht kam dyshimet e mia se ne mund të bëjmë hap të rëndësishëm drejt kualifikimit”, tha ai.

Të ngjashme