Sot është votuar Projektligji për krijimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Për mënyrën si do të funksionojë kjo byro dhe kujt do t’i raportojë institucioni ka folur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
”Gjithçka që është parë në projektligj për formimin e kësaj Byroje është e rregulluar mbi bazën e standardeve ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Ai deklaroi se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk do të jenë pjesë e punës së byrosë.
Për kriteret që duhet plotësuar për të aplikuar për drejtor të Përgjithshëm, Sallahu tregoi se personi duhet të ketë diplomë universitare, përvojë menaxheriale mbi 5 vite, si dhe 8 vite përvojë pune.
”Personave që do t’i konfiskohet pasuria janë personat zyrtarë, familjarët e tyre të ngushtë, personat e ekspozuar politikisht dhe personat e tretë”, tha Sallahu.
Verifikimit të pasurisë do t’i nënshtrohen edhe ata të cilët lënë punën zyrtare, deri në 10 vite më vonë.
Për ata që nuk e kanë pasurinë mbi 25 mijë euro, Sallahu nuk e sheh të nevojshme të bëhet verifikimi pasi sipas tij, verifikimi i pasurisë nën 25 mijë euro krijon shpenzime më të mëdha sesa konfiskimi i asaj pasurie.
”Kjo është një shifër e cila nuk mund të hetohet nëse ka një shumë më të vogël se 25 mijë euro, sepse kjo ka të bëjë me koncentrimin te korrupsioni në nivelin më të lartë të shumave të caktuara. Mbi 25 mijë euro është më i dukshëm dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. Nëse është korrupsion më i vogël, shkon në fushën penale”, shkruan KlanKosova.
Po ashtu, Sallahu tha se verifikimi i pasurisë nuk mund t’ju bëhet personave që nuk kanë shtetësi të Kosovës.