Si do të mund të udhëtojmë nëse ende nuk do të kemi një ilaç kundër Covid-19? Kjo është një enigmë që mundon shumë njerëz. Mbase është ende herët për të folur për udhëtimet ndërkombëtare, pasi kjo është një çështje e pambyllur në shumë vende. Disa shtete kanë nisur të ndërmarrin masat e para për aeroportet. Përshembull, shumë aeroporte në Londër, kanë prezantuar masat e tyre për udhëtarët. Masat përfshijnë distancën mes njerëzve nga 1 deri në 2 metra, përveç ato që janë familjarë. Në të gjithë aeroportin do të ketë dezinfektues duarsh.
Në SH.B.A., Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) thotë se udhëtarët duhet të lajnë duart e tyre për 20 sekonda para dhe pas procesit të shqyrtimit të dokumenteve.
Ndërsa në aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kong-ut, dezinfektimi bëhet përmes një pajisjeje që dezinfekton të gjithë trupin brenda 40 sekondave, duke përdorur një llak që shkatërron bakteret dhe viruset në lëkurë dhe veshje. Aeroporti gjithashtu po vendos robotë që do të pastrojnë dhe zhdukin mikrobet, përmes dritës ultravjollcë. Më pak njerëz do të punojnë në aeroporte, pasi zyrtarët rekomandojnë pasagjerët që të shkojnë pranë kioskave teknologjike.
Në avionë
Me shumë gjasa, nisur nga fakti që shumë vende e kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave, jo vetëm ekuipazhi por të gjithë pasagjerët duhet të jenë të pajisur me maska.
Përsa i përket distancimit kjo është ende një çështje që do të diskutohet, pasi një e treta e avionit me pasagjerë, shkakton një humbje kolosale për kompaninë. Për një fakt bien të gjithë dakord, që pandemia do të ndryshojë të ardhmen e udhëtimeve, pasi shumë njerëz do të pushojnë pranë vendeve të tyre.