“Evropa do të bëhet përmes krizave, dhe do të ndërtohet si rezultat i shumatores së zgjidhjeve që do t’u jepet këtyre krizave”. Kjo fjali është shkruar në vitin 1976 nga Zhan Mone, ideator i deklaratës “Shuman” që në 9 maj të vitin 1950 krijoi autoritetin e Lartë të Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, embrioni i parë i integrimit ekonomik dhe politik të kontinentit që ne sot e quajmë BE.
Bashkimi Europian po përballet sot me kriza të shumëfishta. Në qendër të saj është Brexit, dalja e Britanisë së Madhe nga institucionet, në veri qëndron këmbëkryq kriza e Krimesë që ka kundërvënë Ukrainën me Rusinë, në jug kriza shfaqet me disa trajta nga problemi me terrorizmit e ISIS deri tek shtet-ndërtimi në Libi, Irak dhe Siri, ndërsa në juglindje të Evropës shfaqet kriza e refugjatëve që ka prekur shtete si Greqia, Maqedonia, Serbia, Hungaria dhe Kroacinë.
Para 5 vitesh Bashkimi Evropian do të merrte çmimin Nobel për Paqe si njohje për 70 vite paqe e begati si kurrë më parë në historinë e saj të vrullshme me luftëra, revolucione e emigracione. Paqja në Evropën e Bashkuar në institucione të përbashkëta vijon të mbrohet si drita e syve, ndërsa begatia e saj po minohet për herë e më shumë nga shumëfishimi i krizave. Krizat prodhojmë probleme të ndryshme, të panjohura më parë, që kërkojnë imagjinatë dhe bashkim veprimesh institucionale për t’ia dalë mbanë.
Ndërkohë kriza e Brexit ka prodhuar shumë të panjohura për institucionet e Brukselit duke parë rritjen e partive populliste në prag të zgjedhjeve në Francë (prill-maj) dhe Gjermani (Shtator); kriza e “Krimesë” ka prodhuar një kërcënim të stabilitetit të saj të furnizimit me energji nga Rusia; kriza greke ka prodhuar një destabilitet në tregjet ndërkombëtare saqë do të duhen shumë vite derisa të rikthehet besimi; kriza e terrorizmit në vendet fqinje të kontinentit Evropan si Libia, Siria dhe Iraku ka prodhuar një rritje të masave të sigurisë dhe angazhimit për të luftuar rreziqet çka përkthehet në shpenzime më të mëdha ushtarake dhe një shtim të frikës ndër qytetarë; kriza e vendeve të origjinës ka shtuar numrin e refugjatëve sirianë, afganë, somalezë që lëvizin në mënyrë të pakontrolluar në det dhe tokë.
Pa përmendur këtu fluksin e madh të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor që së bashku me krizën e refugjatëve ka prodhuar qejfmbetje të mëdha brenda BE-së në lidhje me mënyrën sesi do të duhet të sfidojmë këtë krizë dhe krizat të tjera.
Zgjidhja e BE-së për këto kriza mund të vijë përmes rikthimit në këndvështrimin që kishte Zhan Mone për krizat. Për Monenë krizat nuk duheshin parë si katastrofa, por përkundrazi duheshin parë si mundësi për të vënë në punë ide novatore. Sipas tij, krizat ishin thyerje të rutinës dhe momenti kur qeverimbajtësit kërkojnë zgjidhja të reja që zgjasin efektet e saja në kohë. Dhe për të bërë këtë duhen ndryshuar rrethanat e një krize. Nëse bën të njëjtën gjë gjithmonë nuk është e mençur të preshësh rezultate të ndryshme. Pra, nëse ndryshon rrethanat e krizës mund të priten rezultate të ndryshme. Ky parim vlen të shqyrtohet edhe për krizat tona të brendshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Idetë dhe metoda e Zhan Mone për daljen nga kriza vlejnë edhe sot e kësaj dite, edhe pse ai si njeri ishte i biri i një prodhuesi konjaku, një bankier ndërkombëtar që s’e kishte pasur shumë qejf shkollën, që të vetmen “punë zyre” e pati si ndihmësi i sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, që shkruante fjalime për presidentin amerikan Ruzvelt dhe për këtë nuk simpatizohej nga De Goli. Lexoni Monenë të dilni nga kriza!
(Lavdrim Lita)