Për të gjetur zgjidhjen më të mirë për zëvendësimin e ditëve të humbura të mësimit fillimisht do të duhej t’i kishim parasysh tri gjërat në vijim:
- Zëvendësimi i ditëve të humbura nuk duhet të jetë ngarkesë e tepërt as për nxënësit, as për prindërit, as për mësimdhënësit dhe as për shkollat. Prandaj, nuk është mirë të punohet më shumë se një të shtunë në muaj.
- Nuk bën të shtohen orë mësimi shtesë gjatë ditëve të punës për dy arsye:
- Bëhet ngarkesë e tepërt për nxënësit (sidomos të vegjlit).
- Shtimi i një ore në ditë nënkupton çrregullim të orarit për krejt shkollat (sepse shumica e shkollave punojnë në dy ndërresa) dhe zgjatje e mësimit gati deri në darkë për nxënësit e klasave 1-5 (të cilët kanë mësim pasditeve e deri në mbrëmje).
- Mësimi nuk bën të mbahet në korrik për shkak të temperaturave shumë të larta, sepse pothuajse asnjë shkollë e jona nuk ka klima për ftohje nëpër klasa e pjesa dërmuese e tyre nuk kanë as perde nëpër klasa për të krijuar hije.
Prandaj, mendoj që zëvendësimi i ditëve të humbura të mësimit do duhej të bëhej si vijon:
- 10 ditë mësimi kompensohen gjatë të shtunave (tetor 2022 – qershor 2023) vetëm nga një të shtunë në muaj (vetëm muajin e fundit mund të mbahen dy të shtuna, meqë mund të organizohen edhe aktivitete sociale e rekreative për shkak të motit të mirë).
- 5 ditë mësimi kompensohen gjatë pushimit pranveror (siç e ka paraparë MASHTI).
- 7 ditë mësimi kompensohen në muajin qershor (siç e ka paraparë MASHTI).
Kështu do të kompensoheshin 22 ditët e humbura të mësimit pa shkaktuar shumë telashe e ngarkesë as për nxënësit, as për prindërit, as për mësimdhënësit dhe as për shkollat.