Si e mundi Mark Zuckerbergu Platonin?

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 10:24 | Nga Afrim Kasolli

Tradita e mendimit filozofik perëndimor që nga fillet e saj ka qenë e fundamentuar mbi premisat e nënvlerësimit të imazhit dhe të sferës së teknikës. Ajo e ka kritikuar botën e dukjeve si dhe ka artikuluar rezerva serioze në lidhje me efektet negative politike dhe morale që mund të prodhojë aplikimi i teknologjisë në jetën e përditshme. Platoni është shembull paradigmatik i kësaj trashëgime.

Në veprën “Shteti”, në pjesën mbi “Alegorinë e Shpellës”, ky filozof me nam global, e ka pasqyruar mjerimin mendor të njerëzve që ndodhen të kapërthyer nga sfera e imazheve. Ata nuk e njohin të vërtetën e cila ekziston përtej kësaj bote të përkohshme dhe aksidentale. Gjithçka që qeniet njerëzore që jetojnë në këtë nivel të jetës janë në gjendje të kapin, s’është asgjë tjetër, pos hijeve false të gjërave.

Këto formulime kanë qenë kanonike për mijëra vjet në historinë e mendimit filozofik. Dhe kanë shërbyer si standard për t’i orientuar hulumtimet teorike jo vetëm për njohjen e së asaj që është e vërtetë dhe ekziston në qiellin e pastër të ideve, por janë shndërruar edhe në parime udhëzuese etike në kërkim të kuptimit të jetës njerëzore. Hierarkia e vlerave platonike e ka kushtëzuar afirmimin e sferës së ideve mbi realitetin dhe realitetin e transcendencës mbi aparencën.

Kjo mendësi, kuptohet e transformuar në masë dhe përshtatur për nevojat masive të kongregacionit të besimtarëve, është kodifikuar nga traditat e besimit religjioz të krishterë. Prandaj, ka të drejtë filozofi i njohur gjerman Friedrich Nietzche kur krishterimin e definon si “platonizim i masave”.

Normat e ungjillit të ri të jetës e instruktonin rrugën e shpëtimit të shpirtit njerëzor. Ky synim mesianik s’mund të arrihej në mesin tonë, por në botën e përtejme. Jeta jonë tokësore shërbente vetëm si medium për të ndjekur rregullat e shenjta të hyjnisë më qëllim që ta përfitohej paraja qiellore. Detyrat e shpirtërore kishin një vend primar në këtë betejë jetësore. Shfaqja nuk ishte ndonjë rëndësi specifike. Ajo ishte vetëm një material kalimtar dhe në funksion të qëllimeve shëlbyese. Jeta e përfitonte kuptimin për aq kohë sa ishte në shërbim të këtyre kritereve universale morale, etike dhe metafizike. Lutja para altarit e shtronte rrugën e këtij “bashkimi” me jetën e përtejme.

Mirëpo, me kalimin e shekujve për shkak të kapërcimit në rendin industrial, prodhues dhe me kryesorja teknologjik, themelet e kësaj ngrehine doktrinare përjetuan krisje serioze. Për të mos thënë më mirë u shemben. Ajo mbeti një gërmadhë që nuk e ofronte më satisfaksion për ta kërkuar kuptimin. Vakumi i pushtoi qeniet njerëzore. Forma alternative lulëzuan njëra pas tjetrës në funksion të plotësimit të kësaj zbrastësie shpirtërore. Si në rrafshin politik ashtu edhe atë teknologjik.

Filozofë dhe sociologë të ndryshëm mëtuan ta kapin trendin pervasiv sidomos të teknologjisë që po bëhej determinues për pjesën më të madhe të shoqërive bashkëkohore. “Shoqëri e spektaklit”, “shoqëri e konsumit”, “triumf i videokracisë” lulëzim i “homo vidensit” në vend të “homo-sapiensit”, sukses i “arsyes instrumentale” etj, janë vetëm disa nga sintagmat më të njohura që pretendonin t’i deshifronin parametrat e këtij rendi teknokratik.

Më i zëshmi në këtë drejtim kuptohet kishte qenë filozofi i njohur gjerman Martin Heidegger, me kritikën e tij ndaj potencialeve destruktive që mund të ketë ky model në errësimin e “autenticitetit njerëzor” dhe standardizimin e jetës sonë sipas logjikës kinberentike. Madje thuhet se ishte përvijimi i kësaj perspektive trishtuese e cila ndikoi që ky filozof revoltën kundër këtij rendi ta kërkoi brenda vorbullës parake të Lëvizjes Nacional-Socialiste.

Sidoqoftë, edhe përkundër këtyre traumave “filozofiko-romantike” ky zhvillim e marshoi rrugëtimin e tij të pandalshëm duke u bërë thuajse një sistem i përgjithshëm jetese. Triumfi i tij u shndërrua në faktor përcaktues të sjelljeve njerëzore. Kështu, për ta përshkruar thelbin e këtij transformimi teoricieni i njohur Giovanni Sartori në librin e tij “Homo vidensi” pohon se nëse dikur besohej se “në fillim ishte fjala”, sot pa ekuivoke mund të themi se “në fillim është imazhi”.

Këtë ngarendje masive për botën e dukjes dhe imazheve si edhe efektet psiko-sociale që ka prodhuar ky shndërrim “magjik”, kohë më parë e ka analizuar filozofi i njohur gjerman Peter Sloterdijk. Sipas këtij mendimtari me prirje cinike, epokën tonë e karakterizon një shtytje e përgjithshme drejt “celebretariatit”(famshmërisë). Impulset për këtë ngashënjim përndizen nga imagjinata e “famës për hir të famës”. Ndërkaq mirëmbajta e këtij rendi “post-mendor” është bërë e mundur pikërisht nga përdorimi i mjeteve masive të komunikimit modern dhe rrjeteve sociale.

Madje, sipas P. Sloterdijkut, sot Instagrami si njëra nga format e mundësive të tilla e ka zëvendësuar edhe lutjen e dikurshme religjioze si mjet për “komunikim” me jetën e përtejme me kërkesën për të marr vëmendje virtuale. Kështu, “publikut dhe rrethit të miqve i jepet një rol që me parë i kërkohej qiellit dhe shenjtoreve”. Mirëpo, vazhdon më tutje ky teoricien, nuk duhet harruar faktin se nxitje të tilla e kanë demokratizuar edhe botën e të famshmëve. Sepse kultet e reja të kësaj bote mund të gjenerohen në çdo cep të planetit, falë këtij evoluimi tekniko-social.

Ndonëse, siç u dëshmua më vonë kësaj pandehme mund t’i bëhen vërejtje serioze. Ishin disa nga “whistleblower”-et e kompanisë së njohur Facebook, që i zbuluan efektet negative psikologjike dhe sociale që i gjeneron varësia nga përdorimi i tepërt i mediumeve të tilla. Publikime të tilla kanë treguar mbi ndikimin negativ në shëndetin e të rinjve që e ka veçanërisht Instagrami.

Kjo platformë, sipas këtij hulumtimi, “tek shumë adoleshentë dhe atë kryesisht te vajzat e reja e nxit pakënaqësinë ndaj trupit të tyre”. Konkurrenca për të ekspozuar vazhdimisht format e hajthshme trupore po shkakton anomali në ushqyerje dhe depresione. Pra zbulime të tilla pasqyrojnë edhe dimensionin manipulativ dhe instrumentalizues që e shkakton kjo botë virtuale.

Natyrisht, gjeanologjia e këtij ndryshimi për P.Sloterdijkun duhet kërkuar shumë herët. Te përmbysjet politike që shkaktoi Revolucioni Francez. Sepse ky shpërthim krijoi kushte për krijimin e shumë pozitave të reja relevante publike, financiare dhe kulturore që mungonin deri para kësaj ngjarje. Me këtë rast, papritmas ato u mbushën nga “sipërmarrësit, bankierët, artistët, avokatët, politikanët, kolumnistët, profesorët, dhe gratë tyre të stolisura shkëlqyeshëm” të cilat arrinin që me rrëzëllimin e tyre të zinin po ashtu një vend të famshëm. Kjo kthesë spektakolare, bëri që të mos ishte tash e tutje vetëm “aristokracia ajo e cila tradicionalisht si një sferë e veçuar sociale ta uzurponte vëmendjen qendrore të publikut”. Por, “mijëra fytyra të reja dolën në dritën e diellit”.

Gjithsesi,avancimin më të madh ky proces e njohu nga shpërhapja mediatike që ndodhi në shekullin XX dhe në fillim të këtij shekulli. Në saje të kësaj dinamike janë krijuar dhe shpeshtuar mijëra “pozicione të reja, me super yje, super modele dhe epigonet e tyre të panumërt”.

Facebooku, Instagrami, Youtube, janë vetëm disa nga platformat e kësaj “epoke të artë” që e promovon “famën për hir të famës”.

Duke e stimuluar në nivele të panjohura më parë etjen e njerëzve për aparencë, e cila si sentiment, siç thamë, qëndron në antinomi më postualet e doktrinës filozofike të inauguruar nga Platoni, ky rend teknologjik së bashku me mediat sociale pretendon të ofrojë edhe ngushëllim për humbjen e kuptimit për shkak të kolapsit të metafizikës tradicionale.

Mbase edhe nuk është e rastësishme që para pak kohe themeluesi i Facebookut, Instagramit etj, Mark Zuckerberg, vendosi që kompaninë e tij ta quajë “Meta”. Ndoshta për të dëshmuar se ai tashmë është shndërruar në substitut pas çmontimit që ka përjetuar meta-fizika në sensin tradicional të fjalës. Vetëm se me një dallim. Këtë kuptim, këto platforma nuk e kërkojnë në sferën e ideve të përjetshme, në hulumtimin e të vërtetës transcendentale dhe jo shqisore apo afirmimin e vetë-njohjes shpirtërore, por me anë të krijimit të hapësirave të pamasa virtuale për ekspozim dhe vetë-dukje.

Është ndoshta triumfi i këtij rendi që dëshmon më mirë se asgjë tjetër për “fundin e metafizikës” së Platonit dhe zëvendësimin e saj me një “Meta” tjetër. Me atë të zhvillimeve teknologjike dhe rrjeteve sociale. Kthesë kjo që po ashtu që na tregon se shpella për të cilën filozofi antik na tundonte për ta braktisur sa më parë nëse dëshirojmë ta gjejmë të vërtetën nëpërmjet mendimit, do të jetë mbase e vërteta jonë e përbashkët, mirëpo tani e shfaqur vetëm nëpërmjet aparencës dhe imazheve.

Dhe se ajo nuk është e përjetshme, por i nënshtrohet presioneve të çastit si dhe dëshirave të momentit. E ky model ua ofron qenieve njerëzore edhe teknikat e atypëratyshme të përmirësimit facial dhe trupor para se të shfaqen në këto platforma të komunikimit social, për dallim nga modeli platonik që e rekomandonte kultivimin e mendimit. Mbase ky ndryshim e ka bërë të parin të ngadhënjejë mbi të dytin. Sepse i pari u përgjigjet më shumë nevojave masive të shoqërive njerëzore.

Të ngjashme