Po vazhdojnë përplasjet mes udhëheqësve kosovarë dhe atyre serbë për respektimin e Marrëveshjes së Ohërit. Është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që ka thënë se Serbia brenda 24 orëve ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit. Për këtë gjë ka reaguar edhe pala serbe.
Zbatimi dhe respektimi i Marrëveshjes së Ohrit të arritur një herë më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars me pranimin e aneksit të marrëveshjes, po del të jetë temë diskutimi dhe përplasje mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Sebia e ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit për më pak se 24 orë.
Ndërhyjra në zgjedhjet në Kosovë dhe lobimi apo votimi kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, janë dy pikat e marrëveshjes që janë shkelur nga Serbia.
Kështu ka thënë presidentja Osmani në një shkrim në Tëitter, duke shtuar se “marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër.”
“Serbia bëri dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel-Ohër në më pak se 24 orë: ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2), lobim dhe votim kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshje e re, por e njëjta Serbi e vjetër.” – ka shkruar Osmani në Twitter.
Por i mënjëhershëm ka qenë reagimi i palës serbe për deklaratën e Osmanit.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar ndaj deklarimit të Osmanit.
Ai ka përmendur Asociacionin që sipas tij, është gjëja që Kosova po e shkelë.
“Kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me siguri e ka fjalën për Bashkimin e Komunave Serbe. Obligimet e Prishtinës në raport me Asociacionin gjenden në gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit dhe deri më sot, 10 vjet më vonë, rezultati është zero.” – ka shkruar Petkoviq në Tëitter.
Ai e ka quajtur absurd reagimin e Osmanit teksa ka thënë se edhe zgjedhjet komunale për katër komunat në veri, ishin absurd.
“Absurd është fjala që përshkruan më së miri filozofinë politike në Prishtinë. Dhe zgjedhjet e djeshme e vërtetuan qartë këtë.” – ka thënë ai.