Si ia prishi planet Kryetari i Vitisë Arbërie Nagavcit që deshi të përurojë çerdhe e shkollë në Viti pa u kryer punët

Prishtinë | 09 Jan 2025 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Ministres së Arsimit Arbërie Nagavci dje i dështoi përpjekja për fushatë. Ajo në agjendën për ditën e mërkurë kishe përurimin e një shkollë dhe një çerdheje në Viti, mirëpo një gjë e tillë s’u bë për shkak se në këto dy objekte akoma nuk kanë përfunduar punimet. Zv/ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, u deklaruan për këtë çështje.

Një shkollë në Pozheran e një çerdhe publike në Drobesh të Vitisë ishin planifikuar të përuroheshin dje nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Një gjë e tillë nuk u realizua.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, në një komunikatë për media tha se arsyeja që s’janë përuruar është që në këto dy objekte kanë qenë duke u zhvilluar ende punime. Ai ka shtuar se për këtë e ka njoftuar MASHTI’n dhe janë pajtuar që përurimi të bëhet pas përfundimit të punimeve.

“Me këtë rast, unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, ka thënë Haliti.

Haliti, i ftuar në FRONTAl në T7, ka thënë se me ardhjen e Qeverisë Kurti është stagnuar puna në këtë shkollë.

‘‘Qytetarët e dinë saktë si është puna e shkollës fillore “Halil Alidema” e cila është nis 2016. Prej atëherë katër qeveri kanë kalu dhe ende ska përfundu por në tri vite ka stagnua, me ardhjen e kësaj qeverie këto tri vite s’është punu fare. Tash nuk dëshiroj me hy në procedura, në problematika niveli qendror, OSHP kjo tjetra, ajo tjetra, ato janë arsyetime që për mua s’kanë arsyeshmëri… Unë e kam ngritë zërin shumë herë për shkollën, me qindra herë sepse dy shkollat e para shqipe në Kosovë janë në Viti, njëra në Stubëll 1905, më 1908 në Pozheran, prandaj kjo shkollë ka trashëgimi kulturore-historike. Ka qenë projekt i komunës dhe ministrisë së Arsimit në atë kohë, por me një periudhë qeveria tjetër ia ka dorëzu ministrisë së Administratës Publike me implementu, jo vetëm këtë shkollë disa shkolla. Si e tek, nuk e di, vetëm ka qenë anomali, anakronizëm. Qysh para tri vite kjo ka qenë në një gjendje që ka mujt shumë shpejt me u funksionalizua, por me ardhjen e kësaj qeveri stagnoi”, tha Haliti në “FRONTAL”.

Haliti tha se në shkollën “Halil Alidema” dyert e dritaret nuk mbyllen e kanalizimi rrjedh, ndërsa për çerdhen në Drobesh tha se duhet të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, ka thënë se Haliti e ka bojkotuar qëllimisht përurimin e shkollës” Halit Alidema” në Pozheran. Sipas tij bojkoti i Halitit është vendim politik “për qëllim të fushatës elektorale dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës”.

“Kjo do duhej të ishte një ditë feste për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët pozheranas. Por, kjo festë u prish sot nga kryetari i Komunës. Me të marrë njoftimin nga ne, ai në vend se të fillonte përgatitjet për ceremoninë e përurimit, kishte mbledhur një grup politik dhe kishte marr vendim që mësimi të vazhdonte në shkollën e vjetër ashtu si më parë, dhe që të bojkotohej përurimi i shkollës. Sigurisht që ky është një vendim politik, për qëllime të fushatës elektorale, dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës. Jemi të sigurt se, nëse nuk do të paralajmërohej përurimi, sot nxënësit pozheranas do të fillonin mësimin në shkollën e re. Por dëshira e sëmurë e kryetarit Haliti për protagonizëm i la edhe këtë javë nxënësit në shkollën e vjetër”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Ademit, shkolla është e gatshme për shfrytëzim dhe Komisioni Vlerësues kishte konstatuar se me të “gjithë vërejtjet e vogla që ishin konstatuar, mësimi mund të fillonte”.

Deklaratave të Ademit, Haliti fillimisht refuzoi t’i përgjigjet.

“Zv.ministri i Arsimit edhe pse është nga ai rajon, është tash vonë në Ministri, para dy-tre muajve ka shku, nuk i din rrjedhat prandaj as nuk dëshiroj me u marr me këto deklarata”, tha ai.

Më pas Haliti i ka reaguar zv/ministrit duke i thënë se drejtoria e Arsimit në Viti nuk është grup politik.

“Drejtoria e Arsimit në Viti nuk është grup politik sic po e quan zv/ministri. Është për të ardhur keq fjalori i tij dhe qasja, është joserioze se unë e kam marrë  seriozisht këtë aspekt dhe mendoj se unë e kam shpëtu me ftyrë ministrinë për mos me bë gabime në përurimin e një shkolle dhe një çerdhe që ende s’janë finalizuar”, tha ai.

Kurti para ardhjes në pushtet kishte premtuar që do t’i ndërtojë 160 çerdhe publike, numër që është larg përmbushjes. Express

Të ngjashme