Ideja se pandemia e ka dëmtuar biznesin në Kosovës mund të mos jetë krejtësisht e vërtetë.
Madje, numrat e flasin të kundërtën.
Nëse iu referohemi të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në vitin pandemik u hapën 12 mijë biznese të reja, 1500 më shumë se sa në vitin paraprak.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit në Kosovë, Agim Shahini, ka zbërthyer për Albanian Post, se si është e mundur që në kohën kur ekonomia supozohet se ka pësuar tkurrje, të rritet numri i bizneseve të reja.
Shahini tregon se shumica e këtyre bizneseve u hapën nga persona që paraprakisht e humbën vendin e tyre të punës, meqë ishin të angazhuar në industri të cilat u dëmtuan nga masat kufizuese – kryesisht në gastronomi.
“Kemi pasur mbyllje të lartë të vendeve të punës sipas statistikave tona dhe arsyeja se pse janë hapur biznese të reja më shumë është se kanë tentuar të kthehen në forma të ndryshme me aktivitete të ndryshme”, shpjegon Shahni.
Megjithatë, “hapja e një biznesi nuk do të thotë se ata kanë filluar menjëherë të punojnë”.
“Një biznesi të hapur rishtazi në këtë kohë, do të i duhet një vit për të promovuar ai fuqinë dhe qëndrueshmërinë në treg”, thotë Shahni.
Pikërisht këtë shqetësim për të cilin flet Shahini e ka edhe Rita Lakna, 20 vjeçarja, që pasi humbi vendin e punës, mori iniciativën për hapjen e një biznesi të ri.
Lakna, bashkë me nënën e saj, janë në prag të inaugurimit të një dyqani rrobash.
“Është e vështirë hapja e një biznesi në kohë pandemie, duke filluar që nga çështja e financave i cili është problem në vete, dhe nevoja për subvencione është më e nevojshme se kurrë më parë”, thotë Rita për Albanian Post.
Ndryshe nga Lakna dhe nëna e saj që do merren me shitjen dhe qepjen e rrobave, shumica e bizneseve të tjera të hapura në këtë kohë, siç tregon edhe Shahini, janë në sektorë të tjerë të ekonomisë.
“Më së shumti biznese janë hapur nga tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave”.
Gjithsesi, ka pasur edhe shumë biznese të cilat janë mbyllur në të njëjtën periudhë, por nëse u referohemi të dhënave të ARBK-së, numri është shumë më i vogël sesa i atyre që u hapën.
Në regjistrat e ARBK-së rezulton se janë mbyllur 2000 biznese, por Shahni ka përshtypjen se numri është shumë më i madh – “por që personat nuk kanë përfunduar procedurat ligjore për shuarje”.
“Sipas vlerësimeve tona, analizave studimeve tona, gjatë vitit të kaluar ose brenda vitit kalendarik të pandemisë, në Kosovë janë mbyllur rreth 20 mijë biznese të sektorëve të ndryshme”.
Përveç mbylljes së përkohshme, Shahini thotë se ka biznese që për shkak të vështirësive në pandemi “janë shuar pasi kanë falimentuar krejtësisht”.