Si nisi dhe si po përfundon presidenca Trump

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Katër vjetët e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë janë përshkuar që nga dita e parë me të pashembullta.

Mandatin e tij të parë dhe të vetmin si president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e nisi me sulme ndaj mediave, të cilat i etiketoi si “armiq të popullit” e përmbajtjet e tyre si “lajme të rreme”.

Vazhdoi me ushqimin e dhunës racore. Teksa detyrën po e përmbyll midis skenave të dhunës në Capitol, të cilat u kanë dhënë hov përpjekjeve për shkarkim, dy javë para përfundimit të mandatit.

Në mëngjesin me shi të 20 janarit të 2017-s, Donald Trumpi e bëri betimin në ndërtesën e Capitol Hillit, për t’u bërë zyrtarisht presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Inaugurimi i tij ishte përshkuar nga dhuna në trazirat që kishin shpërthyer nëpër qytetet anekënd vendit.

Katër vjet pas kësaj dite, teksa Trumpi i është vënë shtegut të largimit nga detyra, Capitol Hilli – i vendosur vetëm pak distancë ecje në këmbë nga Shtëpia e Bardhë në Washington DC – është mbërthyer në skena të përleshjeve të dhunshme, pasi që me qindra mbështetës të Trumpit hynë në ndërtesën e Capitolit – seli e Kongresit Amerikan – në përpjekjen për ta penguar transferimin e rregullt dhe paqësor të pushtetit tek presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Protestat e dhunshme

Image

Më 6 të janarit të 2021-s, protestuesit kapërcyen muret e krahut perëndimor të Capitolit, duke thyer dritare në atë që rezultoi me përleshje të armatosura me pjesëtarët e sigurisë. Së paku pesë persona kanë vdekur dhe 52 të tjerë janë arrestuar në këtë ditë dhune.

Katër vjet më herët, në po të njëjtat shkallë të Capitolit shtetëror, Trumpi i duartrokiti presidentit Barack Obama dhe Zonjës së Parë, Michelle Obama, për “ndihmën e tyre gracioze gjatë periudhës transitore”, si dhe për “transferimin e rregullt dhe paqësor të pushtetit”.

Të njëjtën gjë ai u zotua që ta bënte vetëm pas kërcënimeve për shkarkim nga detyra, dy javë para përfundimit të mandatit, nën përcjelljen e skenave të dhunës së pashembullt.

Ama, megjithëkëtë, refuzoi që të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të pasuesit të tij, Joe Biden, fitoren e të cilit në zgjedhjet e 3 nëntorit e kontestoi tërë kohës.

Simbolet

Të mërkurën, Trump iu adresua mbështetësve të tij të mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe i përsëriti pretendimet e pabazuara në fakte se zgjedhjet i ishin vjedhur prej dore. Më vonë, po atë ditë, Kongresi Amerikan e certifikoi bujshëm fitoren e Bidenit.

Pas kësaj, Trumpi u bëri thirrje mbështetësve të tij që të ktheheshin nëpër shtëpi, por njëkohësisht i lavdëroi ata si “tepër të posaçëm”, derisa ua shprehu “dashurinë” që e ndien për ta.

Në mesin e turmave që bartnin flamuj prej më të ndryshmëve të Konfederatës, të cilat i simbolizojnë shtetet jugore që kishin luftuar në Luftën Civile teksa po bënin përpjekje për t’u shkëputur nga unioni shtetëror – në atë që përbën një simbol domethënës që ka fituar dominim që prej zgjedhjes së Trumpit president më 2017-n. Flamujt e Konfederatës tani janë krejtësisht të ndërlidhur me supremacistët e bardhë.

Ndasitë

Më 2017, me mijëra protestues anti-Trump ishin mbledhur në kryeqytet, si dhe në qytetet e tjera përreth SHBA-së, si dhe botës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre me presidentin e ri amerikan dhe me politikat e tij.

Përderisa pjesa më e madhe e demonstratave kishin kaluar në mënyrë paqësore, disa protestues iu vishën dhunës. Që atëherë, SHBA-ja është bërë dëshmitare e disa prej protestave më të mëdha, përfshirë ato të lëvizjes “Black Lives Matters” që e pasuan vdekjen e George Floydit, afroamerikanit të paarmatosur që humbi jetën pas arrestimit nga forcat policore më 25 maj të vitit 2020.

Sulmet mbi media

Image

Që kur ka marrë detyrën, Trumpi është akuzuar për sulmet e vazhdueshme ndaj mediave, duke i etiketuar raportimet e tyre si “lajme të rreme” dhe duke i cilësuar ato si “armiq të popullit”.

Gjatë vitit 2020, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ka bërë të ditur se “sulmet e administratës Trump ndaj kredibilitetit të përmbajtjes së mediave kanë minuar rrezikshëm të vërtetën dhe konsensusin në vendin thellësisht të ndarë”.

Këtë të enjte, mbështetësit pro-Trump thyen pajisjet e punës së stafit të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, teksa gazetarët po e bënin punën e tyre dhe po e përcillnin zhvillimin e ngjarjeve para ndërtesës së Capitolit.

Mediat lokale kanë raportuar gjithashtu të kenë lexuar mesazhet si “Vdekje medias”, të shkruara në dyert e hyrjes së Capitolit.

Donald Trumpi

Presidentit amerikan aktualisht i kanë mbetur edhe 12 ditë deri në përfundimin e mandatit të tij presidencial, para se Joe Bideni të japë zyrtarisht betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thirrjet janë duke u shtuar përherë e më shumë që presidenti aktual të shkarkohet nga detyra edhe para kësaj date, nëpërmjet aktivizimit të Amendamentit 25 të Kushtetutës së vendit, e cila mund ta cilësojë atë si të padenjë për ta ushtruar detyrën.

Në një letër nënshkruar nga të gjithë anëtarët demokratë të Komitetit për Drejtësi të Senatit, përfaqësuesit kanë shkruar: “Presidenti Donald Trump ka shpërfaqur se nuk është i qëndrueshëm mendërisht dhe se është i paaftë për t’i procesuar dhe pranuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020”. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme