Trajneri i kombëtares, Edi Reja, po përcakton formacionin me të cilin do të luajë ndaj Islandës. Priten të papritura nga italiani, në mbrojtje dhe në sulm.
Në fushë, të jenë ata në formën më të mirë. Ky duket se është parimi i trajnerit të kombëtares, Edi Reja, i cili po kristalizon formacionin për ndeshjen eliminatore të Europianit në Islandë.
Italiani shihet me ide të qarta në seancat stërvitore në Frankfurt të Gjermanisë, ku ekipi përfaqësues po përgatitet dhe po aklimatizohet për sfidën ndaj veriorëve të Europës.
Mbrojtja mund të jetë me 3 lojtarë, ku Mavraj dihet se nuk do të jetë, pasi mbetet i pezulluar, dhe Gjimshiti i dëmtuar. Mendohet për treshen Dermaku-Ismajli-Veseli, ndonëse duhet parë sesa i mirë do të jetë harmonizimi mes tyre, me Ajetin e Mihajn si alternativa.
Në portë do të jetë Etrit Berisha, ndërsa Strakosha nuk është për shkak dëmtimi. Mesfusha pritet të ketë rol të madh, me Xhakën përpara mbrojtjes, si dhe Hysajn e Lenjanin si lojtarë krahu. Kandidat për anën e majtë është edhe Aliji.
Dy lojtarë të tjerë të mesfushës, Ndoji e Ramadani pritet të luajnë në qendër dhe të ndihmojnë edhe sulmin, por edhe manovrën mbrojtëse.
Në sulm, duket se mund të ketë të papritura, pasi Reja po mendon për Cikalleshin dhe Uzunin, që i duken më shumë në formë, veçse nuk përjashtohet aspak mundësia që të konsiderojë sulmuesit e quajtur titullarë deri tani, si Sadiku e Balaj./ABC News