Si raportuan mediat botërore për fitoren e Vetëvendosjes

Prishtinë | 29 Dhj 2025 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Mediat botërore kanë raportuar për rezultatin zgjedhor të dalë pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën me 28 dhjetor.

The Guardian ka shkruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme, duke i dhënë fund bllokadës politike në Kosovë.

Tutje thuhet se fitorja në zgjedhjet e së dielës forcon mandatin e Kurtit për të çuar përpara reformat e brendshme, përfshirë zgjerimin e skemave të mirëqenies sociale dhe rritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik.

“Megjithatë, ai përballet me sfida të mëdha, përfshirë tensionet me Serbinë, si dhe me sistemet shëndetësore dhe arsimore që mbesin prapa krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Kurti ka marrë mbi 49 për qind të votave, sipas rezultateve zyrtare, çka nënkupton se atij i nevojiten vetëm disa partnerë të vegjël koalicioni për të formuar shumicën parlamentare”, thuhet në tekstin e The Guardian.

Deutsche Welle ka shkruar se partia në pushtet Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Kurti, ka fituar gati 50 për qind të votave, pas bllokadës disamujore prej zgjedhjeve të shkurtit.

Al Jazeera shkruan se Kurti ka fituar gjysmën e votave të zgjedhjeve të së dielës, duke hapur rrugën për të formuar qeverinë e re pas bllokadës disamujore.

Në anën tjetër Politico shkruan se Kurti, ka deklaruar se synon të formojë shpejt një qeveri të re, pasi rezultatet paraprake treguan se partia e tij është në rrugë të mbarë për të fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.

“Lëvizja Vetëvendosje, parti e majtë në pushtet, ka fituar rreth 49 për qind të votave në një proces zgjedhor që u konsiderua jetik për t’i dhënë fund krizës politike njëvjeçare dhe për të ringjallur shpresat e bllokuara të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet nw artikull.

BBC në një artikull që i kushtohet rezultatit zgjedhor ka shkruar se partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.

“Me 90 për qind të votave të numëruara, kjo parti – emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje” – ka marrë 50.8 për qind të votave, duke i siguruar një mandat të tretë në pushtet liderit të saj, Albin Kurti”, thuhet në artikull. “Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e qendrës së djathtë, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë marrë përkatësisht 20.98 për qind dhe 13.89 për qind të votave.

Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur të sigurojë shumicën parlamentare. Që nga ajo kohë, Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale”.

E në artikullin e Euronews shkruhet se partia e majtë Vetëvendosje ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare, pas një bllokade politike 10-mujore që kishte pamundësuar formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt.

“Partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka dalë fituese bindëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, tregojnë rezultatet paraprake, duke e pozicionuar atë për një mandat tjetër qeverisës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të pothuajse të gjitha fletëvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar rreth 50 për qind të votave, dukshëm përpara dy partive të qendrës së djathtë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 21 për qind dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me afro 14 për qind të votave”, thuhet në artikull.

Të ngjashme