Kur aplikoni për punë, disa punëdhënës mund t’ju kërkojnë të tregoni edhe pritshmëritë tuaja për pagën. Kështu që ju lihet juve të përcaktoni një minimum page për të cilën ju do të punonit. Kjo mund të jetë një praktikë shumë e mirë për punëdhënësit sepse në disa raste ata mund të përfundojnë duke iu ofruar juve më pak se ajo që ata kishin menduar.
Zakonisht rekrutuesit nuk rekomandojnë që gjatë intervistës të bëhen pyetje në lidhje me pagën deri në momentin që ata vetë të hapin një bisedë të tillë. Megjithatë, nëse ju jeni të vendosur se doni një nivel të caktuar page për të filluar punë, mos e humbisni kohën tuaj në intervista të gjata, shkruajini pritshmëritë tuaja në letrën e motivimit.
Edhe në rastet kur punëdhënësi e kërkon vetë një përcaktim të pagës nga ju, nuk është në interesin tuaj ta filloni letrën e motivimit me një diskutim në lidhje me paratë. Duhet ta filloni letrën e motivimit me një përshkrim të pozicionit të punës dhe mënyrën sesi mësuat mbi këtë punë.
Më pas është koha që të reklamoni veten tuaj. Bëni një përshkrim të vetes dhe të aftësive tuaja duke i përshtatur ato me kërkesat e pozicionit.
Pas një ose dy paragrafësh ku keni përshkruar veten tuaj, është momenti të shkruani shifra konkrete. Ky është një proces delikat ndaj duhet të keni kujdes me mënyrën sesi shpreheni. Nëse bëhet fjalë për një pozicion të nivelit të lartë ju mund të shkruani: “me përgjegjësitë dhe aftësitë që unë do t’i sjell kompanisë suaj, pritshmëritë e mia për pagën janë…” dhe përmendni një vlerë konkrete.
Kjo vlerë sigurisht që duhet të jetë e bazuar diku, për shembull ju mund të bëni kërkime për pagat e individëve që punojnë në të njëjtat pozicione. Disa njerëz e kanë më të lehtë të japin një rang të vlerave të pagës dhe jo një vlerë të vetme. Ju gjithashtu mund të përmendni se niveli i pagës është i negociueshëm dhe mund ta diskutoni më tej në momentin e intervistës, sepse në këtë mënyrë punëdhënësi kupton që ju keni aftësinë e të qenit fleksibil.
Në paragrafin e fundit, përmendni përsëri disa arsye pse ju mund të jeni një kandidat i duhur për pozicionin. Nuk është asnjëherë e lehtë të diskutoni për paratë me të huaj, me të cilët po planifikoni të krijoni një marrëdhënie pune. Megjithatë, nëse i jepeni punëdhënësit shumë fakte që e justifikojnë vlerën e pagës që ju përmendët më sipër, do ta keni më të lehtë atë pozicion pune, me atë pagë që ju dëshironi.