Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) organizuan tryezën e rrumbullakët “Lajmet e rreme dhe verifikimi i fakteve në mediat online”.
Tryeza kishte për qëllim adresimin e rolit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës në luftimin e lajmeve të rreme dhe respektimin e kodeve të etikës nga gazetarët. Po ashtu, në tryezë u diskutua lidhur me trendin global në rritje të lajmeve të rreme, dezinformimit dhe propagandës, që janë kthyer në një sfidë të vërtetë për shoqërinë në përgjithësi dhe një kërcënim për gazetarinë në veçanti.
Panelistët – gazetarë, përfaqësues organizatash të mediave e gazetarëve dhe ligjërues gazetarie – folën edhe për nevojën gjithnjë e me të madhe për edukim medial, në mënyrë që konsumusit e lajmeve të jenë më të vetëdishëm se çfarë përmbajtjeje mediale po konsumojnë.
Në tryezë u shtrua nevoja që të ketë sa më shumë gazetarë dhe organizata që merren me verifikim të fakteve (fact checking). Po ashtu, u tha se KMShK-së duhet siguruar buxhet I qëndrueshëm, nëpërmjet ndonjë rregullative ligjore, në mënyrë që të mund të funksionojë dhe ta kryjë punën e vet si trup vetërregullues.