Takimi i nesërm në Bërdo – BE-Ballkani Përendimor – vazhdon traditën e tubimeve dy dekadëshe të presidencave rotative për mbajtjen gjallë të “perspektivës evropiane” por rajoni mbeti ende në pritje të asaj “perspektive” të premtuar. Ndonëse Presidenca Sllovene, para ca ditëve në Bruksel qarkulloi dokumentin për “anëtarësimin e rajonit deri më vitin 2030”, shtetet anëtare e refuzuan atë. Prandaj, nuk pritet që tubimi në Bërdo, të jetë samit i zgjerimit.
Pos Ballkanin, vazhdimi i status-quo së zgjerimit, po i shqetëson edhe SHBA-të, që po kërkojnë integrimin e plotë të rajonit. Pas 20 vitesh, është koha për një ringjallje të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Përendimor. Procesi duhet dinamizuar mbi bazën e gjashtë parimeve: interesi gjeostrategjik, reformimi demokratik, zgjerimi post-konfliktual, gjithëpërfshirja me anëtarësimin në pako dhe moszëvendësimi i anëtarësimit të plotë, me alternativa të tjera.
- Fillimisht, vonesa e mëtejme e anëtarësimit të rajonit në BE, do të krijonte vakum gjeopolitik, që do të mund të mbushej nga Rusia e Kina. Me kërcënimin e kufijve jug-lindor të BE-së, një Ballkan i tillë “lindor”, do të sfidonte sigurinë e Evropës përendimore. Largimi i kërcënimit të tillë, nuk arrihet me një Ballkan të lënë jashta BE-së.
- Për shkak të këtij kërcënimi strategjik, e për reformimin e tyre demokratik, vendet e Ballkanit, duhet të forcojnë sundimin e ligjit dhe gjyqësorin e pavarur – digat kyqe kundër korrupsionit institucional. Me këtë do të parandalohej hyrja e kapitalit influencues të regjimeve autoritare lindore. Korrupsioni, nuk ëshë vetëm krim ekonomik, por po aq edhe kërcënim strategjik. Kjo u dëshmua më së miri tek shtetet e dështuara.
- Nëse zgjerimi i fundit ishte zgjerim i pas luftës së ftohtë, e para tij, anëtarësim i shteteve pas regjimeve të juntave ushtarake (Greqia, Spanja e Portugalia); pse BE-ja i druhet aq shumë një zgjerimi post – konflikt në vendet ballkanike? Dinamizimi i zgjerimit është jetik për paqësimin e rajonit dhe parandalimin e keqpërdorimit të konflikteve të ngrira nga fuqitë – jashtë Evropës. Fundja, vet BE-ja ishte një projekt paqe për ish shtetet ndër-luftuese. Pse ky rrëfim suksesi të mos përsëritej edhe për mbylljen e armiqësive ballkanike?
- Ashtu siç “zgjerimi i madh” – 2004/2007 – pranoi në pako 12 shtetet evro-lindore dhe evro-mesdhetare, po aq do mund ti pranojë në pako edhe 6 shtetet ballkanike. Me këtë do të parandaloheshin bllokadat bilaterale të shtetit të parë që anëtarësohet, kundër shtetit a shteteve të tjera në pritje. Në të kundërtën, anëtari i parë ballkanik, përmes vetos, do i hakmerrej “fqiut armiqësor historik”. Virusi ballkanik do të infektonte BE-në dhe në vend të evropianizimit të Ballkanit, do të ndodhte ballkanizimi i Evropës.
- Zgjerimi i BE-së, mund të funksionojë vetëm nëse i përfshinë gjithë shtetet e Ballkanit Përendimor. Brukseli duhet të vazhdojë me politikën inkluzive të të gjitha gjashtë shteteve të rajonit, duke mos lejuar që interesat unilaterale të shteteve të saj anëtare, ta zhbëjnë karakterin multilateral të kësaj organizate. Veto, mbetet e drejta e shteteve anëtare në Këshillin Evropian, por nuk i ndihmon vendimarrjes tek zgjerimi i BE-së.
- Anëtarësimi i 6 shteteve ballkanike, nuk mund të zëvendësohet nga alternativat substitutive të zgjerimit, që po qarkullojnë së voni si: “Ballkani i Hapur”, “Zona e Lirë Tregtare BE-BP”, apo ajo për “statusin vëzhgues”. Ato, nuk shpiejnë në anëtarësim të plotë të tyre në BE, por vetëm zgjasin mbetjen e rajonit në periferinë e Evropës, me iluzionin se një ditë do të bëhen anëtare të BE-së.