Si të veprojmë nëse një nga familjarët është prekur nga Coronavirusi

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Nëse ndodheni në shtëpi, dhe shikoni që një prej familjarëve tuaj ka shenjat e Koronavirus-it, duhet të veproni kështu: Vendoseni personin në një dhomë të veçantë me ventilim të mirë. Instituti i Shëndetit Publik na udhëzon me disa këshilla për familjarët e atyre personave që janë të infektuar me Koronavirus.

Pacientët dhe anëtarët e tjerë të familjes duhen udhëzuar mbi higjienën personale, parandalimin bazë të infeksioneve, si dhe masat e kontrollit se si të kujdesen për anëtarët e infektuar të familjes në mënyrën më të sigurt të mundshme, dhe se si të parandalojnë përhapjen e infeksioneve me kontaktet e shtëpisë.

Pacientit dhe familjes duhet t’iu jepet mbështetja, edukimi dhe monitorimi i vazhdueshëm. Ata duhet të ndjekin rekomandimet e mëposhtme:

  • Vendosja e pacientit në një dhomë të veçantë me ventilim të mirë.
  • Kufizimi i numrit të personave që përkujdesen për pacientin, mundësisht caktimin e një personi që është në gjendje të mirë shëndetësore, që nuk paraqet rreziqe të tjera shëndetësore. Të mos lejohen vizitorët!
  • Anëtarët e tjerë të shtëpisë duhet të qëndrojnë në një dhomë tjetër, ose nëse është e mundur, të mbajnë një distancë 1 m nga personi i sëmurë (p.sh. të flenë në krevat më vete).
  • Kufizimi i lëvizjes së pacientit dhe minimizimi i sipërfaqjes që ndan me të tjerët. Të merren masa që sipërfaqet e përbashkëta (p.sh. kuzhina, banjo) të jenë të ajrosura mirë p.sh. të mbahen dritaret hapur.
  • Kujdestari duhet të mbajë një maskë mjekësore të puthitur mirë në fytyrë, kur ndodhet në të njëjtën dhomë me personin e sëmurë. Maska nuk duhet prekur apo lëvizur gjatë përdorimit. Nëse maska laget apo bëhet pis me sekrecione, duhet të ndërrohet menjëherë. Hidheni maskën pas përdorimit dhe zbatoni higjienën e duarve pas heqjes së maskës.

  • Zbatimi i higjienës së duarve, pas çdo kontakti me personin e sëmurë apo në ambientin ku ata ndodhen. Higjiena e duarve duhet të zbatohet gjithashtu edhe përpara apo pas përgatitjes së ushqimit, përpara ngrënies, pas përdorimit të banjos, si dhe sa herë duart duken të ndotura. Nëse duart nuk duken në pamje të parë të ndotura, mund të përdoret dezinfektuesi me bazë alkooli. Zbatoni higjienën e duarve duke përdorur ujë dhe sapun, kur duart duken që janë të ndotura. Bëni të ditura kushtet e sigurisë (p.sh. gëlltitjen aksidentale apo rrezikun për zjarr) para se të rekomandoni dezifektantët me bazë alkooli për përdorim në kushtet e shtëpisë.
  • Kur përdorni ujë dhe sapun, përdorimi i letrave me një përdorim për fshirjen e duarve do të ishte i parapëlqyer. Nëse nuk është e mundur, përdorni peshqirë të posaçëm, që nëse lagen duhet t’i ndërroni.
  • Praktikimi i higjienës respiratore duhet sidomos për personat e sëmurë, gjatë gjithë kohës. Higjiena respiratore do të thotë që të mbulohet goja dhe hunda sa herë kollitesh apo tështin, duke përdorur maskat mjekësore, maskat prej cohe, letrat apo parakrahun dhe të pasohet me higjienën e duarve.
  • Hidhni materialet që janë përdorur për të mbuluar gojën apo hundën, ose pastrojini ato plotësisht pas përdorimit (p.sh. duke përdorur sapun normal apo detergjent dhe ujë).
  • Shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit, veçanërisht me sekrecionet orale dhe ato respiratore, si dhe me jashtëqitjen. Përdorni doreza me një përdorim, për të siguruar kujdesin oral dhe respirator sa herë jeni në kontakt me jashtëqitjen, urinën dhe mbetje të tjera. Zbatoni higjienën e duarve, para dhe pas heqjes së dorezave.
  • Dorezat, letrat, maskat dhe mbetjet e tjera të përdorura nga personat e sëmurë, apo ata që kujdesen për personat e sëmurë, duhet të vendosen në një kosh me qese në dhomën e personit të sëmurë, përpara se të hidhen bashkë me mbeturinat e tjera të shtëpisë.
  • Shmangni ekspozimet e tjera të mundshme me personat e sëmurë apo me sendet e kontaminuara në ambientin e tyre të ngushtë (p.sh. shmangni përdorimin e përbashkët të furçës së dhëmbëve, cigareve, enëve të kuzhinës, pijeve, peshqirëve, sfungjerëve dhe çarçafëve). Enët e kuzhinës duhet të pastrohen me sapun apo detergjent dhe ujë pas përdorimit, dhe mund të ripërdoren në vend që të hidhen.
  • Pastroni dhe dezinfektoni vazhdimisht sipërfaqet e prekura si komodinat e dhomës së gjumit, kokën e krevatit dhe mobilje të tjera të dhomës së gjumit çdo ditë, duke përdorur dezifenktant për shtëpinë që përmban solucion me ujë të oksigjenuar të holluar (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
  • Pastroni dhe dezinfektoni banjon dhe sipërfaqet e tualetit të paktën një herë në ditë me dezifektant të zakonshëm shtëpije që përmban një përzierje ujë të oksigjenuar (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
  • Pastroni rrobat, çarçafët, peshqirët e banjos dhe të duarve etj. të personave të sëmurë, duke përdorur sapun/detergjentë dhe ujë, apo në makinë larëse në temperaturë 60 – 90 gradë celcius, dhe thajini mirë. Vendosni çarçafët e kontaminuar në një kosh rrobash të palara. Mos i shkundni rrobat e ndotura dhe shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë të lëkurës dhe rrobave me materialet e kontaminuara.
  • Përdorni dorezat me një përdorim dhe veshjet mbrojtëse (p.sh. përparëse plastike) kur pastroni sipërfaqet, rrobat/çarçafët e ndotur me lëngjet e trupit. Zbatoni higjienën e duarve para dhe pas heqjes së dorezave.
  • Personat me simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi derisa simptomat të zhduken, bazuar në gjetjet klinike dhe laboratorike (dy teste negative RT-PCR me të paktën një diferencë 24 orëshe).

Të ngjashme