Jemi në fillim të muajit Prill i cili është muaji i stinës së pranverës, që karakterizohet nga ngritja e temperaturave, megjithatë kjo nuk do të thotë se qielli nuk do të ketë re dhe prishje kohe të papritura. Pranvera njihet për luhatjet e temperaturave edhe përgjatë një dite të vetme dhe kështu lind dyshimi se cila do të ishte veshja e duhur për një bebe.
Si ndihet një bebe?
Ndryshe nga si e mendoni ju, një bebe ndien të ftohtë më shumë se të rriturit vetëm gjatë ditëve të para të jetës dhe më pas ai është në gjendje të ruajë të qëndrueshme temperaturën e trupit. Duhet të keni parasysh se duart dhe këmbët e ftohta janë normale për një bebe dhe nëse do të vlerësoni nëse ka vapë apo ftohtë duhet ta bëni nga ngjyra e lëkurës. Nëse është e kuqe ka vapë, dhe nëse është me njolla të bardha dhe të kuqe ka ftohtë.
Si duhet ta veshim një bebe në pranverë?
Ata duhet të vishen njësoj si të rriturit. Është më mirë që ai të ketë veshur disa rroba të holla sesa një të trashë, kjo pasi në këtë mënyrë ju do të keni mundësi t’i hiqni një nëse ka vapë dhe t’i vishni një tjetër nëse ka ftohtë. Rrobat e bebes duhet të jenë të freskëta dhe që nuk e djersitin. Evitoni materialet sintetike të cilat nuk e lejojnë lëkurën të ajroset. E vishni fëmijën tuaj me një kanatjere pambuku, si edhe me një trupore të hollë pambuku. Nëse bën freskët mund t’i vishni një trupore pambuku sipër dhe nëse bën vapë mund ta vishni vetëm me kanatjere dhe truporen e sipërme. Mos bëni gabim t’i hiqni fëmijës çorapet.