Si u bë Nvidia biznesi më fitimprurës në botë?

Prishtinë | 08 Tet 2025 | 12:47 | Nga Arsim Ajeti

Nvidia po përjeton ‘ëndrrën kapitaliste’ që çdo biznes modern e aspiron.
Ky ishte krye-artikulli që Bloomberg-u i kushtoi kompanisë Nvidia me rastin e arritjes së
vlerës prej 4 trilion dollarësh më 18 Korrik, ditën kur një aksion Nvidia tregtohej për 164
dollarë në bursat ndërkombëtare.

Nuk do të ishte aspak e ekzagjeruar, nëse tani e tutje do të hasnim më shumë tituj të
ngjashëm nëpër mediumet e tjera prestigjioze për kompaninë e çipave Nvidia, e cila po
shënon rritje astronomike në tregjet financiare, mbi 1000% për vetëm dy vite.

Kjo për faktin se Nvidia konsiderohet si kompania më fitimprurëse në botë, e cila
nëpërmjet cilësisë së çipave AI si produktin e saj kryesor ka krijuar një monopol absolut
në treg. Ky bashkëveprim i suksesshëm produkt-klient-performancë, mbetet sekreti i
suksesit për cdo biznes apo startup që pretendon të jetë pjesë e tregut ndërkombëtar.
Pavarësisht se ku ndodhemi apo cili mund të jetë profili i kompanisë sonë, rregullat janë
të njëjta për të gjithë, ndërsa zhvillimi i biznesit bazohet në këto pika kryesore:

  • Ofrimi i produkteve ose shërbimeve cilësore,
  • Kërkesat dhe nevojat e tregut, dhe
  • Mbulimi territorial i produkteve që ofrojmë.
    Nëse një kompani nuk ofron të paktën një nga këto kritere, atëherë ajo duhet të jetë e
    përgatitur të dalë nga tregu, siç edhe po ndodh me shumë biznese sot.
    Nga ana tjetër, nëse biznesi i plotëson këto kritere, ose të paktën njërin prej tyre,
    atëherë jemi në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e tregut tejet konkurrues, por edhe
    fitimprurës në të njëjtën kohë.
    Rrallë herë hasim në biznese që i plotësojnë të gjitha kriteret dhe performojnë në
    mënyrë perfekte, siç po ndodh me kompaninë Nvidia sot.
    Vetëm dy vite më parë, Nvidia ishte kompania e njohur për kartat grafike të lojrave
    kompjuterike, por me atë produkt nuk arrinte as në 30 kompanitë më të vlefshme në
    botë.
    Hyrja e furishme e OpenAI në treg përmes ChatGPT ndryshoi gjithçka, dhe ishte
    kompania Nvidia ajo që përfitoi më shumë nga kjo gjë, dhe kjo vetëm për shkak të
    cilësisë së çipave që ajo prodhonte.
    Ndërkohë që flasim, OpenAI vlerësohet në mbi 500 miliardë dollarë në vlerë tregu,
    ndërsa bashkëpunimi i saj me Nvidia-në bëri që kjo e fundit të dhjetëfishonte vlerën e
    saj, ndërsa OpenAi merr fronin e liderit absolut të aplikacioneve AI.
    Për momentin, Nvidia mbetet prodhuesi kryesor i çipave inteligjentë që furnizon
    korporatat e mëdha, e ndjekur vetëm nga kompania AMD.

Nga Amerika gjer në Kinë, të gjitha korporatat e teknologjisë inovative synojnë të
pajisen me çipat më të fundit nga Nvidia, dhe nuk është rastësi që kjo kompani, siç
është shprehur edhe CEO i saj, z.Jensen Huang, po përjeton ekspansion të vërtetë, por
edhe vonesa në furnizim për shkak të rritjes së kërkesave nga korporatat e mëdha.
Pra, suksesi i kompanisë Nvidia-s vjen si rezultat i kërkesave në rritje nga kompanitë si:
Tesla, Open AI, Microsoft, Google, Meta, Oracle, e kështu me radhë.

Ndërkohë, shqetësimi i vetëm i kompanisë Nvidia për momentin, nëse mund ta quajmë
ashtu, është ceshtja tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, e cila ende nuk ka marrë një
formë të prerë lidhur me atë se cilat do të jenë tarifat tregtare midis dy ekonomive
kryesore botërore. Kjo çështje është duke u negociuar aktualisht dhe pritet të finalizohet
gjatë takimit midis Presidentëve Trump dhe Xi.

Kjo mbetet enigma e vetme që mund ta rrisë më tej vlerën e kompanisë Nvidia drejt
rekordeve të reja, pasi tregu kinez përbën rreth 17% të shitjeve vjetore, sipas të
dhënave zyrtare.


Sido që të jetë marrveshja përfundimtare, ky vit ishte një vit i dominimit të Nvidia-se në
të gjitha frontet, dhe sipas të gjitha gjasave Nvidia edhe për një kohë të gjatë do të
mbetet epiqendra e çipave të mençur, dhe e ardhmja e inteligjencës artificiale do të
mbështetet tek kjo kompani.

Të ngjashme