Reporterët pa Kufij në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2022 kanë renditur Kosovën në vendin e 61-të, 17 vende më lartë krahasuar me vitin 2021.
Qeveria e Kosovës i është gëzuar këtij indeksi dhe e ka konsideruar si sukses të përbashkët, raporton Gazeta Express.
Po, në raportin e sivjetshëm të Reporterëve pa Kufij, për Kosovën, vihen në pah sulmet dhe mosndëshkueshmëria ndaj atyre që sulmojnë gazetarët. Po ashtu flitet për sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve dhe etiketimin e tyre si “bashkëpunëtorë të armikut”.
Ekzekutivi kosovar ka deklaruar se do të vazhdojnë të ju krijojnë ambient sa më të sigurtë mediave duke thënë se mediat e pavarura janë aleatë të qeverisë.
“Qeveria jonë i gëzohet përparimit të lirisë së mediave dhe e konsideron sukses të përbashkët.Do të vazhdojmë të angazhohemi me përkushtim që mediave dhe punëtorëve medialë t’ju krijojmë ambient sa më të sigurtë dhe të përshtatshëm, në mënyrë që ata të ushtrojnë të lirë dhe të papenguar profesionin e tyre. Mediat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale janë aleatët tanë në përpjekjet për zhvillimin e shoqërisë së lirë e demokratike dhe ruajtjen e saj”, thuhet në një postim të qeverisë Republikës së Kosovës në Facebook.
Tutje thuhet se falë vullnetit të shumicës parlamentare në Kuvend punonjësit medialë janë përfshirë si kategori përfituese e ndihmës juridike falas.
“Këtë vit, falë vullnetit të shumicës parlamentare në Kuvend, për herë të parë, punonjësit medialë janë përfshirë si kategori përfituese për ndihmë juridike falas. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit i urojmë mediat dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe i falëndërojmë për bashkëpunimin dhe raportimin e vazhdueshëm për punën e Qeverisë”, thuhet tutje.