Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën e javës së kaluar se po bëjnë gjithçka për t’i ndërprerë reduktimet e energjisë elektrike. Nga dje, reduktimet u ashpërsuan, pasi KEDS-i njoftoi se ka rënë Blloku A3.
Kur pritej që të përfundonte remonti dhe Blloku B2 i termocentralit “Kosova B” të kthehej në funksion, KEDS njoftoi se jashtë funksionit doli edhe Blloku A3 i termocentralit “Kosova A”.
Kryeministri Albin Kurti tha javën e kaluar se Blloku B2 është në remont, pasi kështu Qeveria synon t’i minimizojë gjasat për prishje të tjera gjatë vitit në këtë bllok. U parashikua që ky bllok të kthehej në funksion në fund të këtij muaji, por ai vazhdon të jetë ende jashtë funksionit.
“E paramendojeni një avari tjetër…”, thoshte Kurti, teksa tregonte sesa të vjetra janë blloqet që prodhojnë rrymë.
Ai thoshte se “të gjitha institucionet po bëjnë çmos që reduktimet të ndalen”. Pak ditë pas kësaj deklarate, situata me reduktime po përkeqësohet.
“Përkeqësohet situata e furnizimit me energji elektrike nga rënia e nëjsisë A3. KOSTT-i ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme”, njoftoi KEDS-i përmes një komunikate të dielën.
KEDS tha se do ta kenë të vështirë edhe që t’i njoftojnë konsumatorët për reduktimet që do të ashpërsohen.
“Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”, u tha në komunikatë.
Deri dje, sipas KEDS-it, kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, ata kërkojnë nga konsumatorët “kursim maksimal të energjisë elektrike”.
“Përdorimi i saj në mënyrë efiçiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që ti kapërcejmë ato sa më lehtë. Së bashku mund t’ia dalim!”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë jashtë funksionit vazhdon të jetë edhe Blloku A5. Të tri blloqet (B2, A3 dhe A5) ia japin rrjetit gjithsej 530 MWh. Pra, aktualisht KEK-u nuk prodhon rrymë as sa gjysma e kapacitetit të tij.
Ndërsa Kosova duhet ta blejë shumicën e rrymës, Kurti kishte treguar javën e kaluar çmimet e shtrenjta të energjisë elektrike.
“Në ditën kur kanë filluar reduktimet konsumi i energjisë ka qenë 240 kilovatë, më shumë sesa prodhimi. Ndërkaq çmimi ka qenë 430 euro për kilovatë. Importi është shumë i kushtetueshëm”, ka deklaruar Kurti.