Siguria e vendeve anëtarëve dhe aleatëve të NATO-s pas zhvillimeve të reja në agresionin rus në Ukrainë, do të jetë kryetema e seminarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që do të mbahet në Prishtinë, ka konfirmuar udhëheqësi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë seminar, Driton Hyseni.
Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të fillojë të shtunën dhe do të zgjatë tre ditë. Aty do të marrin pjesë vendet anëtarë të NATO-s dhe aleatët e saj.
Në delegacionin e Kosovës, përveç deputetit Hyseni, do të jenë edhe deputetë të opozitës.
Sipas Hysenit, tema kryesore do të jetë siguria pas zhvillimeve të reja në botë, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
“Do të ketë fokus në zhvillimet që derivojnë nga lufta në Ukrainë dhe impakti që do të kenë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë”, ka thënë Hyseni në “60 Minuta” të KTV-së.
Hyseni thekson se janë të nderuar që NATO-ja i ka përzgjedhur si vend pritës për këtë seminar.
Ai konfirmoi se pjesëmarrës do të jetë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Do të diskutohet edhe integrimi i Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s.