Lëvizja Fol ka publikuar hulumtimin e saj rreth ndikimit të sigurimeve shëndetësore në ekonominë e Kosovës, përkatësisht në punësimin e të rinjve.
Gersi Gashi, nga kjo organizatë, tha se bazuar në përvojat e shteteve të tjera sigurimet shëndetësore do të ndikonin në rritjen e të punësuarve në Kosovë dhe në zvogëlimin e të papunëve, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimi i këtij hulumtimi është që të gjejmë se si po ndikon sigurimi shëndetësor në punësim. Sigurimet shëndetësore janë një bazë e rritjes dhe punësimit në Kosovë. Përgjatë dy viteve 2014-2016 numri i të papunëve ka rënë për rreth 45 mijë njerëz. Mirëpo gjatë këtyre dy viteve është rritur për 24 mijë numri i personave joaktivë, pra i personave që nuk janë të punësuar por as nuk kërkojnë punë”.
Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se mosimplementimi i ligjeve ka ndikim jo të mirë në shtetin e Kosovës sepse sigurimet shëndetësore nuk kanë të bëjnë vetëm me shëndetësinë.
“Nuk është befasuese që qeveritë nuk nguten të përmbushin obligimet e tyre për implementimin e ligjeve. Nuk është diçka e mirë mosimplementimi i ligjit as për shtetin as për partnerët. Vetëm ne në Kosovë kemi mbetur pa pasur Ligj të Sigurimeve; në rajon i kanë të gjithë. Ky ligj nuk është që ka të bëjë vetëm me sigurime shëndetësore por edhe të punësimit sidomos të të rinjve për shkak se kemi një kontingjent prej 25 mijë të rinjve që çdo vit janë të aftë për tregun e punës”, theksoi Arifi.
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatës Shëndetësore të Kosovës, për mungesën e sigurimeve shëndetësore fajtor i ka lënë të gjitha qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar.
“Fajtor të është qeveria e Kosovës por jo vetëm kjo qeveri, fajin e ka edhe faktori ndërkombëtar. Koncept-dokumenti që është bërë parasheh që bizneset e mesme të goditen dhe të favorizohen bizneset e mëdha. Atëherë si sjell kjo punësimin e të rinjve? Ne si federatë kemi propozuar që të bëjmë një grup. Pyetja kryesore është që a duam ne si shoqëri sigurime shëndetësore dhe nëse po të punojmë dhe të ndryshojmë mekanizmat”, ka thënë ai.
Ndërsa Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), tha se qysh në fillim e kanë ditur që nuk do të ketë sigurime shëndetësore, ashtu siç është premtuar.
“Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne veçanërisht për të rinjtë që të kemi sigurime shëndetësore. Ne qysh në janar e kemi ditur se nuk do të mund të kemi sigurime shëndetësore në muajin korrik për shkak se punët nuk kanë qenë të kryera, madje dyshoj që edhe punët kanë filluar”, ka thënë ajo.
Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se në bashkëpunim me bizneset kanë listuar rekomandimet rreth këtij ligji dhe ia kanë dërguar qeverisë.