Sigurimi shëndetësor, premtimi që s’po përmbushet

Prishtinë | 03 Kor 2017 | 08:14 | Nga

Paralajmërimi se 1 korriku do të jetë dita e mbledhjes së premiumeve për fillimin e aplikimit të sigurimeve shëndetësore doli të jetë dështim i radhës për qeverinë e vendit.

Ministri në largim i Shëndetësisë, Imet Rrahmani vitin e kaluar pati paralajmëruar se mbledhja e premiumeve do të filloj në janar të vitit 2017 por shefi i tij kryeministri në largim Isa Mustafa pati konsideruar se nuk janë bërë të gjitha përgatitjet prandaj ishte dhënë një datë tjetër që ishte 1 korriku 2017.

Kundërshtime për të filluar mbledhja e premiumeve edhe në janar edhe në korrik kishte nga shumë akterë në fushën e shëndetësisë.

Shoqata për të drejtat e pacientëve që e pati kundërshtuar fillimin e mbledhjes së premiumeve tha për KALLXO.com se shtyrja e saj është vendim i duhur.

E konsiderojmë vendim të arsyeshëm shtyrjen e datës për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore, duke u bazuar në disa analiza që ne i kemi bërë këtij procesi.

“Ligji për Sigurime Shëndetësore ka një varg mungesash, një varg aktesh nënligjore të domosdoshme për funksionimin e Fondit, ende nuk janë miratuar,fondi ka një staf ekstremisht të pamjaftueshëm në numër, sistemi i integruar i informimit shëndetësor nuk është ende i funksionalizuar, lista e shërbimeve themelore shëndetësore me çmimore dhe bashkëpagesa nuk është e harmonizuar, komunikimi me publikun rreth kësaj çështje është në pikën zero”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre, për të qenë gati për mbledhjen e premiumeve brenda gjashtë muajve duhet të implementohet sistemi i integruar i informimit shëndetësor në tërë Kosovën, të miratohen të gjitha rregulloret dhe aktet tjera të nevojshme për punën e fondit për financim shëndetësor, të kontraktohen institucionet shëndetësore primare në bazë të kapitacionit dhe një varg obligimesh të tjera që Qeveria e ardhshme duhet ti kryej.PRAK-u pati listuar dhjetë arsye se përse nuk duhet të filloj mbledhja e premiumeve, në mesin e shumë arsyeve sipas tyre është edhe fakti që Agjencioni për Financim Shëndetësorë nuk e ka kompletuar stafin e nevojshëm për të punuar në këtë drejtim.

Sipas PRAK-ut, edhe për të paktën 6 muaj nuk mund të ketë Fond të gatshëm për fillimin e mbledhjes së premiumeve.

Poashtu me kërkesë të bizneseve Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar Qeverisë me kërkesën për të pezulluar vendimin për zbatimin e Ligjit për mbledhjen e premiumeve për sigurime Shëndetësore me 1 Korrik.

Sipas tyre bizneset kërkojnë periudhën e nevojshme që të bëjnë përgatitjet e duhura në mënyrë që të jenë më të involvuara në këtë proces.

“Mospërmbushja e shumë kritereve të parapara me ligj, si dhe mos informimi i duhur ka shkaktuar huti në mesin e afaristëve, në këtë mënyrë bizneset e argumentojnë shtyrjen e mbledhjes së premiumeve dhe shtyrjen e zbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore” thuhet në reagimin e tyre.

Fillimin e zbatimit të ligjit për sigurimeve shëndetësore nuk e kishte reklamuar vetëm Imet Rrahmani edhe dy ministrat paraprak të shëndetësisë Alush Gashi dhe Ferid Agani patën dhënë premtime për fillimin e aplikimit të sigurimeve shëndetësore.

Ky ligj është hartuar në vitin 2004, kurse ishte miratuar në vitin 2007, pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte larguar dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore. (kallxo.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme