Sot në Kosovë kanë arritur 170.000 doza vaksina kundër Sëmundjes Gungore të Lëkurës – LSD donacion nga Komisioni Evropian, transmeton Ekonomia Online.
Bazuar në strategjinë e parandalimit të sëmundjes LSD, në koordinim me shtetet e rajonit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) me qëllim mbrojtjen e shëndetit te kafshëve dhe shëndetit publik, si autoritet kompetent, edhe në vitin 2018 do të bëjë vaksinimin masiv të kafshëve të llojit të gjedheve kundër Sëmundjes Gungore e Lëkurës (SGL) – Lumpy Skin Disease (LSD), njofton AVUK-u,
Të gjithë fermerët në tërë territorin e Kosovës, të cilët mbajnë kafshë të llojit të gjedhit do të jeni përfitues të vaksinimit falas nga autoriteti shtetëror.
“AUV ka bërë të gjitha përgatitjet qe me kohe të fillojë aksioni i vaksinimit. Janë të kontraktuara praktikat veterinare për kryerjen e shërbimeve të aplikimit të vaksinave tek kafshët. Sikurse edhe ne dy vitet e kaluara fermerët duhet të bashkëpunojnë me veterinerët në kohen kur fillon vaksinimi. Për datën e fillimit të vaksinimit fermerët do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është mirënjohëse ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme qe po i jep vendit tonë në ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik.