Unë mund ta hap vetë derën: tha një studente suedeze kur një student i vendeve të Lindjes u përpoq ti hapte derën. Në një prej diskutimeve të barazisë gjinore ajo shpjegoi veprimin e saj me një fjali: Nëse presim shërbime nga gjinia tjetër ateherë nuk kemi të drejtë morale të kërkojmë barazi! E di, po flasim për një nga vendet më feministe në botë.
Befas më erdhi ndërmend atdheu im i vogël ku shpesh herë mermerisja me vete: Ah sikur të isha djalë!
Përpara se të mendojmë për zgjidhjen e një problemi duhet të gjejmë se nga rrjedh si fillim. Duke qenë se unë, ne nuk mund të gjykojmë, mbi të gjitha pa baza shkencore , nuk dua të gjej fajtor, por dua të fajësoj të gjithë ne.
Kur analizojmë femrën shqiptare për integrimin, lirinë, emancipimin, mundësitë e barabarta në familje, shoqëri, punë, duhet të analizojme:
Sa normale konsiderohet dhuna psikologjike dhe fizike në mentalitetin tonë?
Sa mundësi kanë të reagojnë ndaj dhunës?
A e dinë forcën e tyre?
A kanë mbeshtetje sociale dhe ekonomike të fillojne një jetë ?
Sa të mbrojtura janë?
A kanë një profesion?
Sa të gatshme janë të bejnë ndryshime?
A janë të afta të vënë veten para “mentaliteteit” apo më mirë të vdesin me nder se të divorcohen?
A ka qendra sociale që i ndihmon në raste dhune?
A ka ndonjë institucion, qendër që ndihmon në rastet e diskriminimit në punë apo survejon këtë proces?
Çdo ditë degjojmë vrasje në familje e cila më parë, sigurisht, ka pasur një historik dhune prej vitesh.
Nëse e ka denoncuar më parë, ku ishte mbrojtja e organeve kompetente? Kush mban përgjegjësi?
Nëse nuk e ka denoncuar ku ishte familja, shoqëria, njerëzit e afërt? Pse nuk e ndihmuan ose pse nuk reaguan
Sot, ka akoma martesa të detyrueshme ku nuk marin parasysh as moshën që shpesh është minorene. Si pasojë lenë arsimin në mes. Që femijë një vajzë nuk ka të drejtë ose lirinë të bëjë zgjedhjen e saj në jetë dhe kjo ndodh dhe pak km larg qendrës së Tiranës.
Në një familje të thjeshtë është normale dhe e padiskutueshme që vajza nuk duhet të ketë të drejtë pronësie për trashgiminë familjare. Edhe pse ka të drejtë ligjore, në përgjithësi nuk e kërkojnë kurrë këtë të drejtë. Diksriminimi gjinor lind që në lindje si mallkim.
Përgjegjesia sociale, humane zakonisht bën ndryshime më të shpejta se masat ligjore. Nëse në botë diskutohet për integrimin e gruas në sferat më të larta profesionale, në vendin tonë akoma diskutojnë lirinë njerezore. Edhe në botë femrat hasin barriera, mbi të gjitha në karrierë për shkak të natyrës së meshkujve që priren të ndihmojnë njeri tjetrin (Kanter 1993). Kurse në baze të një studimi të Hofstede Shqipëria është vend ku 80 përqind fuqia është e meshkujve.
Shteti ndërhyn me anë të masave për të rritur pjesëmarrjen e gruas në qeverisjen si vendore apo lokale ashtu edhe në intitucione. Një prej masave që edhe Shqipria ka marrë është kuotimi. Kuotimi nuk është një matës i saktë pasi është thjesht përqindja e punësimit pa marrë parasysh se kush e ka fuqinë dhe kush qëndron pas një femre.
A mjaftojnë këto masa për të ndryshuar pabarazinë e dukshme gjinore?
Jo! Kjo është një temë delikate dhe e gjerë pasi janë shumë faktorë dhe fenomene që duhen trajtuar, por unë do ju përgjigjem : Jo, nuk mjafton!
Ndryshimi fillon nga ne! Nga mënyra e perceptimit, çdo ditë, dhe ne çdo nivel.
Gratë duhet të dinë që bota është e tyre sa edhe e meshkujve dhe meshkujt duhet të dinë që bota është e femrave sa dhe e tyre.
E dashur grua! E dashur nënë!
Falemindierit që më mësove të vishem me dinjtet dhe ta mbaj kokën lart!
I dashur burrë!
I dashur baba!
Faleminiderit që më mësove që bota është e guximtarëve dhe jo e meshkujve.