Sikur të kishte prokurorë të guximshëm do të fillonin hetimet sot lidhur me pretendimet e VV-së

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 17:28 | Nga Ehat Miftaraj

Po supozojmë se prokuroritë dhe gjykatat nuk i kontrollon LVV-ja dhe Albin Kurti, dhe nuk kanë përgjigje në pyetjet e ngritura sot nga LVV-ja në konferencën para Prokurorisë Speciale.

Por është fakt i pakontestueshëm se LVV-ja e kontrollon AKI-në, Ministrinë e Drejtësisë, Shërbimin Korrektues dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, MPB, Policinë së paku në tre-katër ose pesë vitet e fundit.

Andaj, pretendimet dhe pyetjet e ngritura sot që lidhen me AKI-në, Ministrinë e Drejtësisë, Mjekësinë Ligjore dhe Shërbimin Korrektues, MPB-në dhe Policinë do të duhej të pasoheshin me përgjigje konkrete nga vetë LVV-ja dhe udhëheqësit e caktuar nga kjo parti në këto institucione.

Është po ashtu fakt se Kosova ka sistem prokurorial vetëm ne letër, Prokurori Speciale të udhëhequr nga persona jokompetentë dhe me mungesë të theksuar të guximit profesional. Sikur PSRK-ja të kishte kryeprokuror dhe prokuror të guximshëm do të fillonin hetimet sot lidhur me pretendimet e ngritura gjatë konferencës.

Hetimi profesional ose do të konfirmonte pretendimet e ngritura nga LVV-ja ose do të mund të përfundonte me hetim lidhur me deklarim të rrejshëm të veprave penale nga personat qe iu adresuan publikut sot në konferencë.

Partitë në pushtet qe sundojnë mbi ligjin, përfitojnë më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit, duke shfrytëzuar kulturën e pandëshkueshmërisë.

Të ngjashme