Keidi Bare, mesfushori shqiptar, vazhdon të fitojë gjithnjë e më shumë vëmendjen e Diego Simeones te skuadra e Atletico Madrid
Trajneri argjentinas, Diego Simeone, pasi i ka dhënë mundësinë futbollistit shqiptar që të debutojë me ekipin e parë të Atleticos, kërkon ta monitorojë nga afër Keidi Baren, dhe për këtë arsye e ka zgjedhur që ta marrë me vete në fazën përgatitore që Atletico do të zhvillojë për sezonin e ri.
Sipas listës së publikuar në Spanjë, Atletico do të fillojë përgatitjet të enjten në mëngjes me 20 lojtarë të cilët do të vihen nën urdhrat e Simeones. Mes tyre është edhe emri i Bares, i cili është përzgjedhur për të treguar se e meriton më shumë një vend në skuadër sesa futbollistët të cilët janë kthyer nga huazimi apo lojtarë të tjerë nga akademia.
Në një sezon ku Atletico Madrid nuk mund të bëjë blerje gjatë verës, futbollistëve të rinj pritet t’u jepen më shumë hapësira. Ndaj fillimi i fazës përgatitore me ekipin e parë mund ta ndihmojë Baren që të bëhet përfundimisht pjesë e grupit të Atleticos në sezonin në vijim.