Miq të dashur, bëhuni të arsyeshëm dhe kuptoni një gjë: nuk mund ta pranosh planin franko-gjerman e ta refuzosh Asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë implementimi i Asociacionit është pjesë e planit. Kur thoni se Albin Kurti ka pranuar planin franko-gjerman dhe ka refuzuar Asociacionin, ose s’keni kuptuar asgjë, ose jeni duke bërë propagandë me qëllim.
Unë e kuptoj të bërit propagandë, por ndjej shumë keqardhje për lajthitjen e simpatizantëve të sinqertë, të cilët kanë ndjenjë të fortë adhurimi ndaj liderit dhe partisë që i bashkon. Këta simpatizantë nuk e meritojnë mashtrimin.
Asociacioni pra, nuk ka alternativë pos të formohet dhe atë do ta shohim shumë shpejt pas fillimit të implementimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi. Ajo çfarë ka arritur Albin Kurti nuk është mospranimi i Asociacionit, por është mospranimi i ultimatumit serb që kushtëzonte pjesmarrjen në takim me planin e qartë të Kosovës për Asociacionin.
Duket se faktori ndërkombëtar po taktizon në funksion të ruajtjes së një fryme pajtuese mes Kosovës dhe Serbisë që ka gjasa reale të ndodh. Por, megjithatë, ne që nuk kemi impenjime në politikë, duhet ta kërkojmë të vërtetën dhe t’i japim përparësi asaj.
Qëllimi im nuk është që ta zhvlerësoj Albin Kurtin pse ai ka pranuar një plan që përmban edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë për dallim nga shumë prej jush, unë kam mbështetur dhe vazhdoj të mbështes Albinin e moderuar dhe jo Albinin e ish kauzave të tij politike. Kauzat kanë qenë në funksion të rotacionit të pushtetit dhe ato e kanë kryer punën e tyre, sadoqë, personalisht nuk i kam aprovuar as më parë.
Tani Kosovës i duhen politikanë të moderuar që bashkë me faktorin ndërkombëtar, projektojnë të ardhmen e popullit, pra të ardhmen tuaj. Nuk ka të ardhme pa zhvillim ekonomik. Nuk ka zhvillim ekonomik pa investime të jashtme. Dhe, nuk ka investime të jashtme pa u sigururar një paqe stabile mes Kosovës dhe Serbisë.
Paqja nuk sigurohet duke mbajtur pozicione të ngurta, por duke negocuar dhe duke bërë kompromiset e domosdoshme politike. Këto kompromise tani do të ndodhin.
(Autori ka qenë kandidat për deputet i Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021)