Policia ka arrestuar dy persona në Gjakovë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Njëri prej tyre është inspektor i ATK-së dhe tjetri është kontabilist, njofton Klan Kosova.
“Pas pranimit të informacioneve nga ankuesi i rastit lidhur me një person të dyshuar i cili i kishte kërkuar ryshfet të njëjtit, përmes një personi të dytë, në këmbim të mos-shqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij, Policia e Kosovës ka aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht “blerje të simuluar”, me ç’rast është arrestuar në flagrancë njëri nga të dyshuarit (kontabilist) i cili nga ankuesi kishte pranuar një shumë parash prej 500 (pesëqind) euro, para të cilat janë pranuar për të dyshuarin tjetër (inspektor i ATK-së)”, thotë PK.
Lidhur me rastin, personat e dyshuar të arrestuar janë:
D. F. i lindur me 1977 m/kosovar dhe
B. H. i lindur me 1990 m/kosovar.
Pas intervistimit të të dyshuarve, në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D.F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B.H. është liruar në procedurë të rregullt.