Sindikata e AAC-së i përgjigjet udhëheqëses së Njësisë së Burimeve Njerëzore, thotë se letra është vazhdim i presioneve

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil – SPAAC ka bërë disa sqarime në lidhje me letrën që Safete Selmani, udhëheqëse e Njësisë së Burimeve Njerëzore në AAC, iu ka drejtuar dje disa ministrive, institucioneve të tjera, si dhe medieve.

Sipas Selmanit, kjo shoqatë përbëhet vetëm nga 4 drejtorë të departamenteve dhe 7 vartës të tyre, dhe kësisoj nuk përfaqëson shumicën e nëpunësve të AAC-së, që ka gjithsej 28 shërbyes civilë.

E në kundër-reagimin e Sindikatës theksohet se është e vërtetë se jo të gjithë i janë bashkëngjitur sindikatës së tyre për shkak të presioneve. “Edhe kjo letër është tentimi i radhës për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAAC përmes kërcënimeve të tërthorta, gjë që përbën edhe shkelje të Ligjit për organizim sindikal. SPAAC është entitet i ligjshëm, i regjistruar në MPMS, dhe përfaqëson anëtarët e saj legjitim, ashtu siç jemi deklaruar në çdo komunikim, dhe plotësisht e hapur për pranim të anëtarëve të rinj në përputhje me Statutin e SPAAC”.

Reagimi i SPAAC:

Fillimisht, është e paqartë nëse letra e publikuar është mendim personal i znj. Safete Selmani, apo qëndrim zyrtar i AAC-së. Mund ta konfirmojmë, si punëtorë me përvojë dekadëshe në AAC, se është jashtëzakonisht e parregullt që qëndrimet zyrtare të AAC-së të komunikohen përmes Zyrës për Burime Njerëzore, e aq më pak që ato të mos bartin nënshkrimin e Drejtorit të Përgjithshëm, që do ta konfirmonte autorizimin për komunikim ndër-institucional dhe publik. Letrat publike në emër të AAC-së, që njëkohësisht japin opinione personale, besojmë se janë bërë për të evituar përgjegjësinë ligjore.

Deklaratat dhe qëndrimet e SPAAC janë publike dhe të qasshme në faqen tonë zyrtare në Facebook https://www.facebook.com/SPAAC.RKS/. Lehtë mund të konfirmohet se deklaratat e znj. Selmani, në lidhje me qëndrimet dhe kërkesat tona, janë të pavërteta. Është e vërtetë se jo të gjithë i janë bashkëngjitë Sindikatës sonë; ne i kuptojmë ata për shkak se presioni me të vërtetë ka qenë i madh për të penguar Sindikatën dhe jo të gjithë kanë mundur t’i rezistojnë. Përveç presioneve tjera, edhe kjo letër është tentimi i radhës për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAAC përmes kërcënimeve të tërthorta, gjë që përbën edhe shkelje të Ligjit për organizim sindikal. SPAAC është entitet i ligjshëm, i regjistruar në MPMS, dhe përfaqëson anëtarët e saj legjitim, ashtu siç jemi deklaruar në çdo komunikim, dhe plotësisht e hapur për pranim të anëtarëve të rinj në përputhje me Statutin e SPAAC.

Se anëtarët e sindikatës po përballen me presione të ndryshme, dhe se të drejtat e tyre janë shkelur, është konfirmuar edhe me vendimet e KPMSHCK, e cila ka konstatuar deri tash 4 shkelje nga ana e AAC-së, brenda pak muajve, të gjithat kundër anëtarëve tanë. Për shkeljet ligjore të pretenduara nga znj. Selmani në lidhje me Rregulloret e Brendshme, SPAAC as nuk është përgjegjëse dhe as nuk mund të përgjigjet, prandaj znj. Selmani mundet brengat e saj t’i përcjellë përmes rrugëve ligjore, dhe t’i drejtojë ndaj AAC-së si institucion, pasi Shoqata Sindikale ju përkujtojmë nuk ka fuqi ekzekutive.

Për të pavërtetat tjera në këtë letër ne jemi duke shqyrtuar edhe ndjekjen e rrugëve ligjore.

LEXO EDHE:

https://ekonomiaonline.com/nacionale/aac-ja-reagon-pas-krijimit-te-shoqates-sindikale-te-punetoreve/

Të ngjashme