Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me suspendimet që u janë bërë pjesëtarëve të policisë gjatë ditëve të fundit.
Për Sindikatën e Policisë, këto raste kanë qenë shqetësuese për ta, teksa bën të ditur se do të kërkojnë sqarim për arsyet e suspendimit.
“Sindikata e Policisë do të monitorojë çdo rast hetimi ndaj zyrtarëve policorë, qoftë sipas kërkesës së tyre, apo edhe kur ka ndonjë kontest se ndonjërit po i bëhet e padrejtë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Policisë.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave janë marrë masa disiplinore ndaj shtatë policëve të Kosovës.
Rasti i fundit është suspendimi i policit Amir Hoxha, pasi ky ka shprehur pakënaqësinë në rrjete sociale për mospagesën e orëve shtesë dhe shujtave për policët, derisa në anën tjetër deputetëve të Kuvendit iu kompensohen paratë edhe për derivate.