Sindikata e Policisë reagon për mospagesën e shtesës së rrezikshmërisë, paralajmëron veprime sindikale

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar për, siç thuhet në njoftimin e kësaj sindikate, mospagesën e shtesës së rrezikshmërisë në punë për muajt shkurt dhe mars 2023.

Përmes një reagimi në Facebook, kjo Sindikatë ka shkruar se pagesën në mënyrë retroaktive e pret me pagën e muajit prill derisa nëse kjo nuk ndodhë, ka paralajmëruar veprime tjera sindikale.

“Andaj Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, dhe kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit maj ne fillim te Qershorit dhe në asnjë rast të mos ketë shtyrje ne realizimin e së drejtës për të gëzuar të drejtën në shtesën e rrezikshmërisë.

Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektoj dhe pa humbur kohë do ta realizoj shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mos-realizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera qe ia kem parashtruar deri me tani Qeverisë, ne si Sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për ti realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Sindikata ka kërkuar edhe realizmin e kategorizimit të punonjësve.

“Duke u bazuar në dy komunikatat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të muajit shkurt dhe muajit mars me arsyetimin dhe premtimin se Qeveria e Republikës së Kosovës në pagën muajin maj në mënyrë retroaktive do të ekzekutoj pagesën e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policor ku për fat te keq ky premtim nuk u realizua as në këtë muaj, Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar dhe vazhdon të pranoj vërejtje dhe ankesa nga të gjitha njësitë në kuadër të Policisë së Kosovës për mos realizimin e shtesës së rrezikshmërisë edhe në këtë muaj si dhe pagesën retroaktive për muajin shkurt dhe mars si dhe ankesat nga njësitet e stafit civil që punojnë në kuadër të PK-së që kanë të bëjnë me kategorizimin ku pritshmëritë kanë qenë të mëdha që shtesa e rrezikshmërisë dhe kategorizimi do të dalin me pagën e muajit prill dhe për muajt paraprak”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Të ngjashme