Pasi Qeveria në detyrë ndau 4 milionë e 480 mijë euro për punëtorët e transmetuesit publik, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së kanë shprehur mirënjohjen e tyre për gjithë ata që e mbështetën grevën e tyre.
“Pas protestave dhe grevës katërditore të zhvilluara nga punëtorët e RTK-së, dhe pas shumë angazhimeve sindikale të pandërprera, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dëshiron të shprehë falënderimet më të sinqerta për të gjithë ata që na kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe sfiduese. Veçanërisht falënderojmë punëtorët e RTK-së, të cilët treguan unitet, vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke qenë shtylla kryesore e kauzës sonë. Falënderimet tona shkojnë gjithashtu tek kryetari i AGK-së, z. Xhemajl Rexha, kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, kryetari i SBASHK-ut, z. Rrahman Jasharaj, dhe juristja e mediave, znj. Flutura Kusari, për mbështetjen e tyre profesionale dhe institucionale. Njohje të veçantë u shpreh Federatës Evropiane të Gazetarëve, OSBE-së, ambasadave dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe mediave, gazetarëve dhe portaleve në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, për mbështetjen dhe solidarizimin e tyre me punëtorët e RTK-së. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar për transparencën dhe informimin publik, duke dhënë mbështetje të pakursyer për punëtorët e RTK-së dhe për të garantuar interesin publik”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej u tha se “Sindikatës i takon të theksojë se punëtorët e RTK-së gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë pasur komunikim adekuat nga ata që paguhen për sigurimin e stabilitetit të institucionit dhe pagesën e pagave, gjë që ka qenë për keqardhje dhe ka rënduar situatën, duke krijuar pasiguri dhe shqetësim të panevojshëm. Pas këtyre zhvillimeve dhe veprimeve të ndërmarë nga palët përkatëse, SPERTK njofton opinionin publik, institucionet dhe punëtorët e RTK-së se greva ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin e RTK-së dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura, që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transmetuesit publik. Ky hap siguron funksionimin normal të RTK-së dhe garantimin e të drejtës së qytetarëve për informim të paanshëm dhe të saktë”.
Tutje thuhet se “Sindikatës i takon gjithashtu të mirëpresë dhe falënderojë Qeverinë dhe Kryeministrin në detyrë për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës dhe për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin. Ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik. RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, përfshirë Kryeredaktorin. Kjo gjendje kërkon veprim urgjent nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, për kompletimin e Bordit, zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, emërimin e Kryeredaktorit, si dhe për rritjen e buxhetit, rritjen e domosdoshme dhe të panegociueshme të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri të RTK-së. SPERTK mbetet e përkushtuar në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të pavarësisë së RTK-së. Nëse gjatë janarit 2026 hasim sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme. Në emër të punëtorëve të RTK-së dhe të transmetuesit publik, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e secilit që qëndroi pranë nesh gjatë kësaj periudhe sfiduese”.