Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka fajësuar kompanitë për keqpërdorimin e mjeteve financiare të ndara nga Pako Emergjente, raporton Ekonomia Online.
Azemi theksoi se buxheti i shtetit nuk po shkon aty ku duhet. Ai tha pronarët e kompanive kanë keqpërdorur vendimin e Qeverisë.
Azemi njoftoi se Sindikata është takuar edhe me zëvendësministrin e Financave dhe Transfereve të cilin e ka njoftuar se janë bërë keqpërdorime nga kompanitë, mjetet të cilat kanë mbetur në xhepin e pronarit.
“Nuk do të flasim me emra për kompanitë. Pjesa dërmuese që kanë tender me institucionet shtetërore kanë marrë fonde dhe mjete nga Pako Emergjente”.
“Buxheti i shtetit nuk po shkon ku duhet të shkoj. Është ndonjë marrëveshje e fshehtë për këtë drejtim”.
Azemi tha se duhet të shkojnë në burg keqpërdoruesit, raporton Ekonomia Online.
“Në shtet ligjor dikush është dashur të shkoj në burg sot. Keqpërdorimet për pronarët e kompanive. E dimë që të dy palët janë fajtore që kanë aplikuar për punëtor që nuk përfitojnë dhe operatori që ka bërë lista për punëtorët të cilët nuk mund të përfitojnë”.
“Janë bërë keqpërdorime me përcjelljen e mjeteve. Ja ku i keni hajnat e këta duhet t’i ndjek shteti”.
“Padrejtësitë që po bëhen sipas informacioneve që kemi marrë nga punëtorët nëse ne nuk reagojmë kjo do të vazhdonte kështu. Mjetet do të shkonin aty ku nuk duhet”, ka thënë Azemi.
Mes tjerash, Azemi njoftoi se punëtorët e sigurimit dhe teknik të QKMF-ve dhe QKUK-së do të kenë stimulim prej 170 eurosh.