Sindikata e Autoritetit të Aviacionit Civil, të martën pa praninë e mediave, u takuan me anëtarët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar shkarkimin e drejtori të AAC-së, Bujar Ejupi për siç thonë parregullsitë e keqpërdorimet që po ndodhin në këtë institucion.
Pas takimit, Arianit Dobroshi, udhëheqës i sindikatës ka deklaruar para mediave se kanë kërkuar që të aktivizohet pika 4, nenin 20 i Ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.
“Është një takim që e kemi kërkuar që një kohë, ishte një takim jo i lehtë sepse ashtu siç e kemi shprehë përmes shkresave tona të shumta ka shumë parregullsi, keqpërdorime dhe rrezikim të aviacionit civil. Gjitha këto ia kemi përçuar edhe komisionit. Përgjigja është shumë e qartë, dhe adresa është e qartë – ligji i aviacionit civil neni 20 pika 4 që ish dashtë me u aktivizu kur ka rrezikim kaq të qartas”, ka thënë ai.
Dobroshi ngriti dyshimet se AAC është e paaftë për t’i kryerë detyrat që i besohen me ligj “për shkak të përndjekjes së vazhdueshme”. Sipas tij, për shkak te keqpërdorimeve po rrezikojnë edhe dëmtimin e imazhit të sektorit të aviacionit në nivel ndërkombëtar me pasoja afatgjate për vendin si dhe rrezikimin e sigurisë së operimeve.
Ai tha se Komisioni nuk ka pasur diçka konkrete për ndonjë veprim të caktuar.
“Kemi realizuar se operimet ajrore në një hapësirë ajrore të Kosovës nuk bëhen sipas rregullave të sigurisë, çështja tjetër është degradimi i vazhdushëm i inspektorëve i aviacionit civil që në mënyrë ditore merren me mbikqyrjen e sigurisë për momentin AAC është e paaftë për ti kryerë detyrat që i besohen me ligj për shkak të përndjekjes së vazhdueshme të drejtorit të përgjithshëm. Ata na kanë premtu që do të punojnë në këtë drejtim, nuk kemi hasë në ndonjë veprim konkret për ndonjë çështje të caktuar por mbetet të shihet”, u shpreh tutje ai.
Sipas tyre, Ejupi me marrjen e mandatit në qershor të 2020 ka filluar ndëshkime të stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Sindikatën e Punëtorëve të AAC-së ndërsa ka favorizuar të tjerët, joanëtarë të sindikatës.
Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil, në një letër para dy ditësh, i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenin 20 të ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.
Bordi pretendon se drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi me marrjen e mandatit në qershor të 2020 ka filluar ndëshkime të stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Sindikatën e Punëtorëve të AAC-sl ndërsa ka favorizuar të tjerët, jo anëtarë të sindikatës.
“Ne si bord, kemi sugjeru inicimin e procedurës disiplinore ndaj Zyrtares Ekzekutive për shkak se ajo nuk ka përmbushur obligimet e saj ndaj Bordit, ndërsa DP (drejtori i përgjithshëm) ka amnistuar shkeljen. Zyrtarja nuk është anëtare e Sindikatës”, vazhdon letra.
Bordi u ka rekomanduar, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Planifikim dhe Zhvillim si dhe Auditores së Përgjithshme që të marrin parasysh shkeljet e pretenduara dhe të ndërmarrin menjëherë veprime.