Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është ankuar për probleme me parkingjet në Prishtinë për të punësuarit në kryeqytet.
“Veprimet e përshpejtuara e të paarsyeshme dita-ditës janë duke ia vështirësuar e duke ia vështirësuar jetën ekonomike e sociale edhe ashtu të vështirësuar e të vështirësuar të qytetarit të Republikës së Kosovës. Parkingjet e shtrënguara dhe të ‘kontrolluara’ por jo të mirëmbajtura si duhet dhe me procedura të vështirësuara gjithandej qytetit të Prishtinës po ia vështirësojnë jetën qytetarëve e sidomos të punësuarve”, thuhet në një reagim të BSPK-së të martën.
Sipas reagimit, në Prishtinë tash për tash është gati e pamundur t’i afrohesh vendit të punës dhe të kesh vendparkimin e duhur e në kohën e duhur.
BSPK-ja ka thënë se nuk pajtohet me veprimin e Komunës së Prishtinës që ka nisur së implementuari me “Prishtina Parking” në disa lagje të qytetit.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret dhe thërret në arsyeshmëri të veprimit të ngutshëm e parimor që të hiqet kjo pengesë e parkimit dhe vendparkimit jo të mirëmbajtur, po t’u mundësohet institucioneve dhe bizneseve të kenë parkingjet e qasshme dhe të mirëmbajtura si duhet e të shfrytëzueshme me procedurave të thjeshtësuara e sidomos për të punësuarit”, thuhet në reagim.
Në kryeqytet ka dy vjet që ka nisur edhe ndërtimi i një parkingu të madh te hapësira e kampusit të Universitetit të Prishtinës. Nga Komuna kanë thënë se projekti pritet të përfundojë në korrik sivjet. Punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor kanë filluar në tetor të vitit 2020, megjithëse kontrata është nënshkruar në vitin 2019. Parkingu parashihet të ketë 23000 metra katrorë hapësirë, 2 kate me nga 11 mijë e 500 metra katrorë dhe përafërsisht me 700 vend parkime.