Sindikata e Infermierëve të Kosovës sot ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me institucionet dhe shoqatat e profesionistëve shëndetësor, ku prezentë ishin Oda e Infermierëve të Kosovës, Shoqata e Infermierëve të Urologjisë, Shoqata e Instrumentareve të Kosovës, Shoqata e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës, Përfaqësues Regjional, Përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe infermier nga shumë klinika dhe profile të SHSKUK/QKUK-së.
Në këtë takim të gjitha institucionet, OIK dhe Shoqatat e profesionistëve shëndetësor u dakorduan dhe nënshkruan një komunikatë të përbashkët për medie përmes së cilës deklaruan që do mbështeten të gjitha masat dhe veprimet sindikale të cilat do të ndërmerren nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës lidhur me kundërshtimin e diskriminimit në koeficient të pagave dhe Ligjin e Pagave.
Për datën, kohën dhe modalitetet e veprimeve dhe masave sindikale, paraprakisht do konsultohen institucionet nënshkruese të komunikatës së përbashkët, OIK dhe Shoqatat e profesionistëve shëndetësor. Sindikata e Infermierëve të Kosovës gjatë ditës së nesërme do konsultoj organet e saja, Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe Këshillin për Protesta dhe Greva në mënyrë që gjatë ditës së Mërkurë 16/02/2022 t’ua dërgoj propozimin e veprimeve dhe masave sindikale OIK dhe Shoqatave të profesionistëve.